Studentët e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan krijojnë platformë për mbështetjen e jetimëve

Studentët e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan krijojnë platformë për mbështetjen e jetimëve

Auto&Tech February 04, 2025 - 11:52

Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan kanë zhvilluar një platformë për identifikimin e jetimëve dhe mbështetjen e tyre në zhvillimin e karrierës.

Ky projekt synon të ofrojë mundësi për jetimët, duke i pajisur me trajnime profesionale dhe certifikata që rrisin shanset për punësim.

“Platforma u mundëson jetimëve aplikimin për trajnime të ofruara nga profesorët e universitetit, të cilat zhvillohen në përputhje me kërkesat e bizneseve. Po ashtu, universiteti rekomandon jetimët për punësim në kompanitë bashkëpunuese dhe monitoron punësimin e tyre për të matur efektet e trajnimeve në tregun e punës”, thuhet në njoftim.

Projekti kontribuon në mbështetjen e jetimëve duke lehtësuar përfshirjen e tyre në shoqëri dhe duke përmirësuar proceset e identifikimit dhe zhvillimit të karrierës së tyre.

“Platforma, e realizuar në formë elektronike, përmirëson proceset ekzistuese të identifikimit të jetimëve dhe ndihmon në zhvillimin e karrierës së tyre profesionale”, theksohet në njoftim.

Krijuesit e kësaj platforme janë studentët: Vesa Ibrahimi, Rukije Ajeti, Tringa Syla, Dorarta Syla dhe Blend Halimi, të cilët e zhvilluan projektin në kuadër të lëndës Projekti SEW, nën udhëheqjen e prof. asoc. dr. Lindita Nebiu Hyseni.