Bitcoini kap shifrën e 100 mijë dollarëve pas emërimeve të fundit të Trumpit

Bitcoini kap shifrën e 100 mijë dollarëve pas emërimeve të fundit të Trumpit

Auto&Tech December 05, 2024 - 09:26

Bitcoini ka arritur për herë të parë shifrën e 100,000 dollarëve të mërkurën, pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi emërime kyçe në administratën e tij që pritet të mbështesin politikat prokriptomonedhave.

Paul Atkins, një ish-komisioner i Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimit (SEC) dhe mbështetës i njohur i kriptomonedhave, është zgjedhur nga Trumpi për të udhëhequr këtë institucion.

Atkinsi pritet të ndjekë një qasje më të butë në rregullimin e kriptomonedhave, duke e distancuar nga politika më e ashpër e Gary Gensler, i cili do të japë dorëheqjen në Ditën e Inaugurimit.

Rekordi i ri për bitcoin u shënua disa orë pas njoftimit të emërimit të Atkins, njofton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Kjo arritje u ndërtua mbi rritjen që nisi pas zgjedhjeve presidenciale amerikane më 6 nëntor, kur bitcoini u rrit me 6,000 dollarë në një ditë dhe kaloi shifrën prej 74 mijë dollarësh.

Një javë më vonë, arriti në 90,000 dollarë. Bitcoini ka regjistruar një rritje prej 130% gjatë këtij viti, duke tejkaluar ndjeshëm performancën e indeksit S&P 500, që është rritur me 28% në të njëjtën periudhë.

Pavarësisht se dikur e kishte quajtur bitcoinin si “jo para” dhe “të paqëndrueshëm”, Trumpi ndryshoi qëndrim për të tërhequr votues më të rinj.

Në korrik, ai premtoi krijimin e një “rezerve strategjike kombëtare të bitcoinit” dhe ndalimin e shitjes së tij të konfiskuar nga kriminelët. Komuniteti i kriptomonedhave ka mbështetur fuqishëm Trumpin gjatë fushatës së tij, duke kontribuuar me mbi 131 milionë dollarë për kandidatët pro-kripto në zgjedhjet e Kongresit. Ndërkohë, Trumpi ka lansuar biznesin e tij të kriptomonedhave World Liberty Financial dhe ka pranuar donacione në kripto.

Ndërsa mbështetësit e kriptomonedhave shohin me optimizëm administratën e re, disa rregullatorë financiarë, si kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell, mbeten skeptikë, duke e cilësuar bitcoinin si një aset spekulativ.