Hapet shtëpia e Volvo-s në Prishtinë, qendra më e madhe në Ballkan me investim 3.5 milionë euro
Në prag të 100-vjetorit të krijimit, marka e njohur e veturave Volvo ka hapur në Prishtinë qendrën më të madhe të autoindustrisë në Ballkan.
Markën e njohur të veturave suedeze e ka sjellë Auto Mita, një investim prej rreth 3.5 milionë eurove, për ta bërë Volvo-n në Kosovë qendrën dhe showroom-in më të madh të autoindustrisë në Ballkan.
Ceremonia e hapjes së Volvo Kosova është mbajtur mbrëmë në Prishtinë, ndërsa me këtë rast pronari i Auto Mita, Zgjim Mita tha se që kur ishte fëmijë ka dashur këtë markë.
“Kam lindur kur ka filluar Auto Mita, jam rritur në këtë industri, si fëmijë e i ri kam dashur Volvon, po ju kujtoj diçka, para 25 viteve me pa një Volvo në rrugët Kosovës ka qenë arritje, sot me përurimin e qendrës më të madhe të Volvo-s në rajon, kjo tregon se çfarë kapaciteti kanë kosovarët. Sot e kemi vendosur Kosovën në hartën e Volvo-s globalisht”, tha Mita.
Ai tregoi edhe për negociatat të cilat kanë filluar para katër viteve, ndërsa Volvo ka qenë skeptike fillimisht për këtë investim, por sot kur kanë parë rezultatin janë habitur.
Në lidhje me markën Volvo, Mita tha se shumë e pëlqjenë, por të gjithë e respektojnë këtë markë.
Në këtë ceremoni, është prezantuar për herë të parë në Ballkan edhe modeli më i ri “Volvo EX90”, i cili përfaqëson kulmin e teknologjisë elektrike dhe angazhimit të Volvo-s për një të ardhme me zero emetime.
Të pranishëm në hapjen zyrtare të “Volvo Kosova” ishte edhe përfaqësuesit i Volvo-s për Ballkanin, Ambasadori i Suedisë në Kosovë, ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë si dhe mysafirë të tjerë, të cilët patën rastin të shohin të parët showroom-in më të madh të Volvo-s në Ballkan. /Zëri