TikTok me një tjetër paraqitje në gjykatë duke kërkuar të shmangë ndalimin mbarëkombëtar
Një ditë tjetër, një tjetër seancë gjyqësore: kjo është rutina e aplikacionit TikTok dhe kompanisë së tij mëmë, ByteDance, këto ditë.
TikTok dhe ByteDance kanë një seancë kritike gjyqësore pasi ata përpiqen të bllokojnë një ligj që mund të ndalojë potencialisht aplikacionin, i cili përdoret nga 170 milionë amerikanë, që nga 19 janari i vitit 2025.
Gjykata e Apelit e SHBA-së për Distriktin e Kolumbisë do të dëgjojë argumentet mbi sfidën ligjore, duke e vendosur të ardhmen e TikTok në qendër të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Bëhet e ditur se si kandidati republikan Donald Trump ashtu edhe zëvendëspresidentja Kamala Harris kanë përdorur në mënyrë aktive TikTok për t’u lidhur me votuesit më të rinj, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
TikTok dhe ByteDance argumentojnë se ligji është jokushtetues dhe cenon fjalën e lirë të amerikanëve, duke e quajtur atë “një largim radikal” nga tradita e SHBA-së për të mbështetur një internet të hapur.
Ligji, i miratuar me shumicë dërrmuese në Kongres në prill, buron nga shqetësimet se Kina mund të përdorë TikTok për të hyrë në të dhënat amerikane.
ByteDance ka deklaruar se shitja e TikTok “nuk është e mundur komercialisht apo ligjërisht” dhe paralajmëron se pa ndërhyrjen e gjykatës, aplikacioni mund të përballet me një ndalim të paprecedentë deri më 19 janar.
TikTok dhe Departamenti i Drejtësisë kanë kërkuar një vendim deri më 6 dhjetor, i cili mund t’i japë Gjykatës së Lartë të SHBA-së kohë të mjaftueshme për të trajtuar çështjen përpara se ndalimi të hyjë në fuqi.
Presidenti Joe Biden nënshkroi ligjin në prill, duke i dhënë ByteDance kohë deri më 19 janar për të shitur TikTok ose do të përballet me një ndalim, megjithëse ai ka mundësinë të zgjasë afatin me tre muaj nëse po bëhet përparim drejt një shitjeje.
Shtëpia e Bardhë thekson se qëllimi është t’i jepet fund zotërimit kinez të TikTok për arsye të sigurisë kombëtare, jo të eliminohet vetë aplikacioni. /telegrafi