Agjencia për Informim e Privatësi: TikTok duhet ta ndryshojë moshën e përdorimit
Përdorimi i rrjetit TikTok është ndaluar tashmë me një vendim në institucionet shtetërore të Kosovës, por ai vazhdon të përdoret në nivel vendi.
Më 28 qershor, Qeveria e Kosovës miratoi Ligjin për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të rrjetit social TikTok në të gjitha institucionet e vendit, me qëllim të ruajtjes së privatësisë.
Ky rrjet social, i cili vlerësohet i rrezikshëm për shkak të shkeljes së privatësisë, duhet të ndryshojë moshën e përdorimit të përdoruesve, sipas Agjencisë për informim dhe privatësi.
Kjo agjenci, ka kërkuar nga përfaqësuesit e TikTok-ut në Evropë, me të cilët janë takuar, që politikat e privatësisë të rrjetit social të përkthehen në gjuhën shqipe, gjë e cila është bërë tashmë.
Gjithashtu kanë kërkuar që mosha e përdorimit të këtij rrjeti social nga 13 të ngrihet në 16.
Komisionarja në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Krenare Dermaku, ka thënë për KosovaPress thotë se qytetarët duhet të kenë kujdes që të dhënat e tyre personale të ruhen.
“Ne e kemi marrë brenda autorizimeve tona ligjore, kemi ndërmarrë veprimet, kemi kontaktuar përfaqësuesit e TikTok-ut, kemi mbajtur disa takime radhazi, ende kemi kontaktin zyrtar të përfaqësisë të TikTok-ut në Evropë. Ne kemi kërkuar prej tyre që politikat e privatësisë të TikTok-ut të përkthehen në gjuhën shqipe, gjë e cila është bërë tashmë dhe kushdo që hap TikTok në Kosovë i ka politikat e privatësisë në gjuhën e kuptueshme dhe kjo e përmbush njërën prej parimeve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave që është transparenca ndaj qytetarit. Karshi obligimit që e kanë të gjithë kontrolluesit e të dhënave personale në këtë rast TikTok, si dhe kemi kërkuar që mosha për përdorim të ngrihet nga 13, siç ka qenë në 16-vjeç ashtu siç e parasheh ligji ynë nacional. 5:38 Ajo çka ne duhet të bëjmë si shoqëri dhe si institucione është ngritja e vetëdijes së qytetarëve se ku dhe kujt po ia servojnë të dhënat personale,” ka porositur Dermaku.
Eksperti i kibernetikës, Mentor Hoxha, thotë se jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit po iu ekspozohen shpesh përmbajtjeve të papërshtatshme.
“Në këtë drejtim Qeveria e Republikës së Kosovës, ka marrë një vendim bazuar në cenimin e sigurisë kombëtare. Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit, janë duke ekspozuar përmbajtjeve të pa përshtatshme. Ky shqetësim në TikTok nuk ka të bëjë vetëm me përmbajtjet e papërshtatshme, por në TikTok shohim edhe aktivitete ilegale, të cilat ashtu siç e kanë theksuar në të kaluarën, aktivitete të tilla kemi pasur të shohim vetëm në ‘dark ueb’. Në TikTok më së paku kemi liri të fjalës, më shumë kemi shkelje flagrante të ligjeve në fuqi, ligjeve ndërkombëtare ku aktiviteti ilegal është duke u lexuar, përmbajtjet e papërshtatshme janë duke lulëzuar,” ka thënë Hoxha.
Sociologu Ferdi Kamberi në një përgjigje për kp ka shprehur shqetësimin se shumë fëmijë e gjejnë veten të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme seksuale, e cila mund t’i dërgojë në sjellje seksuale të të miturve dhe të dëmtojë zhvillimin e tyre emocional dhe social.
“TikTok është një ndër rrjetet sociale që për dallim nga të tjerat ndikon dukshëm në privatësinë e individit, edhe pse mosha adekuate në rrjete sociale është 13- vjeç, shumica e të rinjve shpeshherë e anashkalojnë.
Ndikime të tjera janë edhe hiperseksualiteti i fëmijëve, ku shumë fëmijë e gjejnë veten të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme seksuale në këtë platformë, e cila mund të çojë në sjellje seksuale të të miturve dhe të dëmtojë zhvillimin e tyre emocional dhe social.
Po ashtu, ndikime të tjera vërehen edhe te tendenca më e madhe e pedofilëve, bullizmi, cenimi i privatësisë, varësia nga TikTok, tendenca për të qenë në qendër të vëmendjes, etj”, ka thënë Kamberi.
Shqetësimet se qeveria kineze mund të ketë qasje në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve në TikTok, i cili është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, e kanë shtyrë qeverinë amerikane të miratojë legjislacionin që ndalon platformën e mediave sociale nëse ajo nuk shitet për një vit.
Ligjvënësit dhe rregullatorët në Perëndim kanë shprehur gjithnjë e më shumë shqetësimin se TikTok dhe kompania e tij amë ByteDance, mund të vendosin të dhëna të ndjeshme të përdoruesit, si informacionet e vendndodhjes, në duart e qeverisë kineze.
India ka ndaluar aplikacionin TikTok në vitin 2020, pasi Nju Delhi zyrtar goditi qindra aplikacione në pronësi kineze, duke pretenduar pjesërisht se ata po transmetonin fshehurazi të dhënat e përdoruesve në serverë të huaj.
Britania dhe Parlamenti i saj, Australia, Kanada, krahu ekzekutiv i BE-së, Franca dhe Parlamenti i Zelandës së Re kanë ndaluar aplikacionin nga pajisjet zyrtare pasi përfaqëson një kërcënim të sigurisë kombëtare.