Vitia takohet me nxënësin e “Innovation Academy”, që arriti suksese në garën e inovacionit
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur sot në takim nxënësin Amar Dobreva, nga shkolla “Innovation Academy” në Vushtrri, bashkë me themeluesit e saj, Fatbaradha Dallku-Bajrami dhe Ensar Bajrami.
Vitia është shprehur krenar me arritjet e nxënësit Dobreva, që ka pasur në garën regjionale “BReaking The Boundaries Tech”, që është mbajtur në Tiranë, ku ka prezantuar projektin e tij inovativ “Health Digitize”, transmeton Zeri.info.
“Krenarë të njoftohemi për arritjet e jashtëzakonshme të nxënësit Amar Dobreva nga shkolla Innovation Academy në Vushtrri, të cilët pata nderin t’i takoj. Në garën regjionale ‘Breaking The Boundaries Tech’, mbajtur në Tiranë në Western Balkans University, Amari arriti në finale me projektin e tij inovativ, Health Digitize”.
“Amari, së bashku me themeluesit e ‘Innovation Academy’, Fatbardha Dallku Bajrami dhe Ensar Bajrami na prezantuan këtë projekt në një takim miqësor”, shkroi Vitia.
Po ashtu Vitia njoftoi se Fatbardha Dallku do të përfaqësojë Kosovën në “Eban Summit”, që do të mbahet në Tallinn në Estoni. E përzgjedhur si udhëheqësja më e suksesshme në biznes nga “UN Women for Europe and Asia”. /Zëri