Google do të përdorë AI për të përmirësuar sigurinë kibernetike
Produkti i ri i kompanisë Google ka të bëjë me sigurinë kibernetike dhe bashkon projektet Gemini, Mandiant dhe VirusTotal.
Njerëzit dhe kompanitë po përpiqen të gjejnë më shumë mënyra për të përdorur inteligjencën artificiale gjeneruese, kështu që Google planifikon të përdorë AI më shumë në fushën e sigurisë kibernetike dhe t’i bëjë raportet e kërcënimeve më të lehta për t’u interpretuar, transmeton Telegrafi.
Google njoftoi një produkt të ri në fushën e sigurisë kibernetike – Google Threat Intelligence, i cili do të kombinojë funksionet e njësisë së sigurisë kibernetike Mandiant, inteligjencën e kërcënimit VirusTotal dhe modelin Gemini AI.
Produkti i ri i sigurisë përdor Gemini 1.5 Pro Large Language Model (LLM), për të cilin Google thotë se redukton kohën që duhet për të hetuar dhe zmbrapsur sulmet e ‘malware’.
Sipas informacioneve, modelit Gemini 1.5 Pro, i cili u lansua në shkurt, iu deshën vetëm 34 sekonda për të analizuar kodin e virusit të rrezikshëm WannaCry dhe për të identifikuar “kill switch”, pra për ta neutralizuar atë.
Një mundësi tjetër për të përdorur modelin Gemini AI është përmbledhja e raporteve të kërcënimeve të gjuhës natyrore brenda Threat Intelligence, në mënyrë që kompanitë të mund të vlerësojnë se si mund të ndikojnë sulmet e mundshme në to – ose, me fjalë të tjera, në mënyrë që kompanitë të mos reagojnë tepër ose nën-reagojnë ndaj kërcënimeve. /Telegrafi