Apple raporton për rënien më të madhe të shitjeve të iPhone-it që nga muajt e parë të pandemisë
Apple ka regjistruar rënien më të madhe të shitjeve të iPhone që nga muajt e parë të pandemisë COVID.
Bëhet e ditur se shitjet për periudhën janar-mars janë ulur për 10 për qind, diçka që nuk ka ndodhur që kur kompania vonoi prezantimin e telefonit të ri për shkak të kufizimeve nga pandemia.
Në përgjithësi, gjiganti teknologjik ka fituar 90.8 miliardë dollarë në tremujorin e fundit, 4 për qind më pak se një vit më parë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, raportohet se vlera e përgjithshme e kompanisë është rritur pas rritjes së çmimeve të aksioneve të saj për gati 7 për qind.
Ndërkohë, shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, ka njoftuar se kompania do të integrojë më shumë Inteligjencë Artificiale (Al) në telefonat e saj.
Ndërsa Samsung ka prezantuar telefona me Al ku përfshihen edhe chatbot gjenerues, Apple ende nuk ka njoftuar se si Al do të jetë pjesë e telefonave të saj.
Mirëpo, qarkullojnë thashetheme se iPhone i ardhshëm do të përmbajë mikroçip me Al dhe ekran më të madh.
Ndryshe, kompania do të zbulojë softuerin e saj të ri gjatë një konference në qershor. /Telegrafi