Reagon Apple, pas ankesave të përdoruesve për alarmet
Apple po punon në lidhje me problemet që kanë klientët e saj për zilet e alarmit në telefonat e tyre iPhone. Kompania lideri në rang global për prodhimin e pajisjeve teknologjike ka konfirmuar se është vënë në dijeni për problemet me të cilat po hasen klientët.
Megjithëse mbetet i paqartë numri i përdoruesve dhe kategoria e telefonave të cilët e kanë këtë problem.
Shumë përdorues të iPhone-it kanë shfaqur ankesat e tyre nëpërmjet rrjetit social TikTok. Në video por edhe në shumë komente ata shprehen se janë të shqetësuar pasi nuk po arrijnë të zgjohen në kohën e duhur.
Përdoruesit thonë se ka shumë raste që alarmet në iPhone-it e tyre ose nuk fiken, nuk aktivizohen fare ose janë në një volum shumë të ulët, saqë gati-gati të pandjeshëm.
“Kjo ka qenë ndoshta dita e tretë ose e katërt radhazi që ora ime me zile nuk është fikur,” tha një përdoruese në rrjetin social TikTok.
Një tjetër tha: “Kam vënë re për disa javë rresht se alarmi në telefonin tim nuk është aktivizuar. Me pak fjalë thjesht nuk më ka zgjuar. Kjo po shkakton probleme në matjen e kohës.”
Në një video që është bërë virale me afro 10 milionë shikime në TikTok, një përdoruese duke folur për të njëjtën problematikë tha: “Apple po përpiqesh të largosh njerëzit nga puna?!”
Apple tashmë ka krijuar një faqe në internet, e cila udhëzon përdoruesit për kontrollin e volumit të alarmit nëpërmjet opsionit “Sounds & Haptics” që gjendet në “setting”, gjithashtu informon se komandat e tjera opsionale si “fik” nuk janë shkaktare të problemit.