Cilat shtete e kanë bllokuar TikTok-un?

Cilat shtete e kanë bllokuar TikTok-un?

Auto&Tech May 02, 2024 - 11:47

SHBA-ja dhe BE-ja i kanë vënë limite platformës TikTok, por këto qeveri nuk janë as të vetmet, as të parat. Në fakt, edhe vetë Kina e ka limituar platformën mjaft të përhapur të videove të shkurtra.

Senati i SHBA-së tashmë ka miratuar legjislacionin, që i kërkon kompanisë kineze TikTok të lejojë kontrollimin e të dhënave të amerikanëve nga një kompani vendase, gjë për të cilën kanë një afat nëntë-mujor; në rast të kundërt platforma do të bllokohet në mbarë vendin.

Arsyeja? Kompania “byte dance” është e influencuar nga qeveria kineze dhe senati i trembet mundësisë reale që Byte Dance t’i japë regjimit të dhëna sensitive të qytetarëve amerikanë. Kompania fuqimisht e mohon përzjerjen e saj me regjimin në Pekin, por ligji i sipërpërmendur është firmosur tani nga presidenti Biden.

Ndërsa në Evropë ka një perspektivë tjetër mbi arsyet se përse duhet limituar platforma: Diskutimi këtu është mbi efektet negative që ka kjo platformë dhe mbi varësinë e dëmet e tjera psikologjike që shkakton, veçanërisht tek më të rinjtë.

Si rrjedhojë në BE janë hequr tipare të platformës, përshembull funksioni “Spinoff”në TikTok light mes të cilit përdoruesit fitonin karta për blerjen e produkteve reale nëse videot e tyre klikoheshin shumë.

Vendet që kanë bllokuar përfundimisht TikTok-un

Fqinji i Kinës, India, ishte vendi i parë që e mbylli përfundimisht platformën së bashku me rreth 60 aplikacione të tjera të prodhuara në Kinë. Shtysë e parë për këtë u bë një konflikt ushtarak mes vendeve në zonën e Himalajeve. Mbyllja e plotë e aplikacionit qendron që në 2020, dhe motivi është siguria e të dhënave personale të qytetarëve indianë.

Vendet ku TikTok-u është i ndaluar

Arsyet morale ishin motivi për bllokimin total të TikTok-ut në Afganistan në vitin 2022, një vit pasi talebanët rimorën kontrollin e vendit. As qytetarët e Iranit nuk mund ta përdorin aplikacionin.

Në Iran thonë se TikTok-u ka bllokuar IP-të iraniane, por në fakt Irani ka bllokuar thuajse të gjitha platformat e rrjeteve sociale; si YouTube, X, Instagram, facebook dhe Telegram. TikTok-u është bllokuar për arsye të ngjashme edhe nga qeveritë e Kirgistanit, Uzbekistanit, Nepalit dhe Somalisë.

Vendet ku TikTok-u është pjesërisht i limituar

Thuajse të gjitha shtetet ku TikTok-u është i limituar thonë, se e bëjnë këtë për të mbrojtur shtetasit e tyre; si nga abuzimi me të dhënat, lajmet e rreme dhe propaganda, edhe nga pasojat psikologjike që vijnë për shkak të varësisë.

Ndaj jo të gjitha vendet e ndalojnë plotësisht aplikacionin. Pakistani për shembull, e ka bllokuar disa herë përkohësisht programin për përmbajtje fyese, dhe më pas, kur kompania ka riorganizuar filtrat, aplikacioni është lejuar sërish.

Në Rusi p.sh. përmbajtje e papërshtatshme është çdo video që mund të pasqyrojë pushtimin e Ukrainës në një këndvështrim tjetër nga ai i Kremlinit. Ndërsa në Kinë, aplikacioni është i bllokuar në pajisje celulare që s’janë prodhim kinez, në mënyrë që të përdoret vetëm versioni i lejuar në vend. Edhe shtete të tjera e kanë bllokuar përkohësisht TikTok-un, si për shembull Azerbaixhani më 2020, kur konflikti me Armeninë arriti kulmin; apo Senegali në 2023, fill pas arrestimit të politikanit opozitar Ousmane Sonko. /DW