Google akuzohet se po e bën më të vështirë kërkimin e shërbimeve tjera
Google po akuzohet se ka përfituar nga dominimi i saj në treg për ta bërë më të vështirë kërkimin e një shërbimi rival të saj.
Tuta Mail e cila thotë se numëron më shumë se dhjetë milionë përdorues në mbarë botën, pretendon se që nga marsi nuk është shfaqur dukshëm në kërkimet e Google.
Kompania ka bërë një ankesë në BE duke pretenduar se Google po e dëmton biznesin rival të saj.
Kjo akuzë është mohuar nga gjiganti teknologjik i cili thotë se Tuta mbetet “lehtësisht e qasshme” nëpërmjet motorit të tij të kërkimit, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Në fillim të marsit të vitit 2024 Google papritmas ndaloi së shfaquri faqen tonë të internetit”, thuhet në ankesë.
“Kompania duhet të ndalojë menjëherë këtë kufizim të shfaqjes së faqes sonë të internetit në rezultatet e saj të kërkimit”, tha Matthias Pfau, bashkëthemelues i Tuta Mail.
Ndryshe, algoritmi i Google përdor një sërë faktorësh për të përcaktuar renditjen e rezultateve të kërkimit. Por, kompania mohon që përditësimet e algoritmit të saj të favorizojnë ndonjë uebsajt të veçantë.
“Përditësimet e renditjes së kërkimit absolutisht nuk synojnë të favorizojnë produktet e Google apo ndonjë uebsajt tjetër të veçantë”, tha kompania.
Megjithatë, Tuta e akuzon për shkeljen e ligjeve të BE-së dhe thotë se Google po ndikon në fitimet e shërbimit privat të saj.