TikTok thotë se do ta luftojë ndalimin ose shitjen e detyruar nga SHBA-ja
TikTok ka thënë se do të luftojë çdo ndalim ose shitje të detyruar të aplikacionit nga gjykatat amerikane, pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin që synon ndalimin e platformës së videove virale.
E ardhmja e kompanisë u vu në dyshim të mëtejshëm pasi ligjvënësit në Uashington miratuan një projektligj që do ta ndalojë aplikacionin në SHBA nëse ai nuk ndahet nga pronari kinez ByteDance.
Bëhet e ditur se legjislacioni ishte pjesë e paketës me ndihma për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.
Së shpejti, projektligji do të shkojë për votim edhe në Senat, shkruan the Guardian.
Por, shefi i politikave publike të TikTok-ut për SHBA-në, Michael Beckerman, tha se legjislacioni ishte jokushtetues dhe aplikacioni do ta luftojë atë përmes gjykatave.
“Në fazën kur projektligji nënshkruhet, ne do të kalojmë në gjykata për një sfidë ligjore”, tha Beckermani, duke pretenduar se legjislacioni shkel amendamentin e parë të kushtetutës së SHBA-së, i cili mbron lirinë e fjalës.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë, pasi ky legjislacion është shkelje e qartë e të drejtave të amandamentit të parë të 170 milionë amerikanëve përdorues të TikTok-ut”, shtoi Beckermani.
Ndryshe, TikTok-u është nën presionin e ligjvënësve amerikanë dhe politikanëve të tjerë perëndimorë për shkak të frikës se të dhënat e përdoruesve të tij po përdoren nga qeveria kineze. /Telegrafi