Mediat po paditin OpenAl dhe Microsoft

Mediat po paditin OpenAl dhe Microsoft

Auto&Tech February 29, 2024 - 18:44

OpenAl dhe Microsoft po përballen me një raund të ri padish nga mediat e ndryshme botërore mbi pretendimet se produktet e tyre gjeneruese me Inteligjencë Artificiale (AI) kanë shkelur ligjet e të drejtave të autorit.

Tre media progresive amerikane, Intercept, Raw Story, dhe AlterNet, kanë ngritur padi në gjykatën federale të Manhattan, New York duke kërkuar kompensim nga kompanitë teknologjike.Mediat po pretendojnë se ChatGPT është trajnuar për të mos respektuar të drejtat e autorit, pasi injoron atribuimin, dhe nuk njofton përdoruesit kur përgjigjet krijohen duke përdorur edhe punën e gazetarëve.

Raw Story ka njoftuar se mediat duhet të përballen me OpenAI, pasi sipas saj kompania po shkel Aktin e të Drejtave të Autorit dhe po përfiton nga puna e palodhur e gazetarëve, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.“Shkeljet e OpenAI, nëse nuk kontrollohen, do të shkatërrojnë më tej industrinë e lajmeve, dhe bashkë me të edhe gazetarët kritik të lajmeve”, tha CEO i Raw Story dhe AlterNet, John Byrne.

Padia e Intercept rendit si të pandehur OpenAI dhe investitorin e tij më të shquar Microsoft, ndërsa padia e përbashkët e ngritur nga Raw Story dhe AlterNet rendit si të pandehur vetëm OpenAI.

“Të pandehurit kishin një zgjedhje: ata mund të stërvitnin ChatGPT duke përdorur vepra gazetarie me menaxhimin e të drejtës së autorit, ose mund mos ta bënin atë. Të pandehurit zgjodhën këtë të fundit”, thuhet në dy paditë.

Paditë e ngritura janë në një seri veprimesh ligjore kundër OpenAl mbi shkeljen e pretenduar të të drejtës së autorit, ku përfshihet edhe një padi nga New York Times që i kërkonte kompanisë të shkatërronte çdo chatbot që përdor materiale nga mediat.Vala e padive të ngritura pasqyron një shqetësim të madh në të gjithë industrinë e medias se AI gjeneruese do të konkurrojë me mediat e njohura si një burim informacioni.

Ndërsa disa media dhe autorë kanë zgjedhur të ndjekin rrugën ligjore kundër OpenAI, të tjerë si Axel Springer kanë zgjedhur të jenë partnerë me kompaninë.

Bëhet e ditur se, paditë e ngritura kërkojnë dëmshpërblim dhe përfitime, gjë që i detyron të pandehurit të mbahen përgjegjës për “miliarda euro dëme ligjore”.