“CYBER ZERO”, konferenca më e madhe për sigurinë kibernetike po vjen në Prishtinë

“CYBER ZERO”, konferenca më e madhe për sigurinë kibernetike po vjen në Prishtinë

Auto&Tech February 26, 2024 - 09:50

Prej 4 deri më 6 mars në Prishtinë do të mbahet edicioni i tetë i konferencës më të madhe rajonale për siguri kibernetike "CYBER ZERO", e organizuar nga Shoqata Kibernetike Shqiptare dhe FINDBUG, me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Në konferencë është planifikuar të ketë mbi 50 folës, 10 diskutime në panel dhe mbi 2.000 pjesëmarrës.

Tema e ditës së parë kryesisht do të jetë siguria kibernetike, e dyta për dezinformimin dhe lajmet e rreme, ndërsa në ditën e tretë mediat dhe organizatat e shoqërisë civile do të kenë mundësi të marrin më shumë njohuri për përdorimin e veglave të Inteligjencës Artificiale për të rritur performancën e tyre për analiza, video dhe audio.

Pjesëmarrjen në këtë konferencë e kanë konfirmuar tashmë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, si dhe personalitete të shquara nga vendet e rajonit si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e po ashtu edhe nga vendet e BE-së.

Në edicionin paraprak, kishte mbi 1,000 pjesëmarrës, 55 folës ekspertë, 9 panele diskutimi dhe një konkurs etik për hakerët i njohur si "DITA KUR HACKING ËSHTË LEGAL 7". Një total prej 28 hakerash konkurruan për një shpërblim prej 20,000 dollarësh për të identifikuar dobësitë në media dhe platformat e shoqërisë civile.

Këtë vit, pritet që të marrin pjesë 10 liderë kryesorë globalë me bazë në SHBA në fushën e sigurisë kibernetike, secila prej tyre do të ofrojë njohuri për produktet dhe zgjidhjet më të fundit që synojnë ta bëjnë botën digjitale një vend më të sigurt.

Më shumë detaje mund të gjeni duke klikuar KËTU

Për të rezervuar vendin tuaj në këtë konferencë klikoni KËTU