SHBA-ja paralajmëron për planet e Kinës për mbizotërimin e informacionit

SHBA-ja paralajmëron për planet e Kinës për mbizotërimin e informacionit

Auto&Tech September 29, 2023 - 22:22

Kina po shpenzon miliarda dollarë në përpjekjet për të ndryshuar mjedisin global të informacionit dhe për të detyruar shumë vende të veprojnë sipas interesave të Pekinit, thuhet në një vlerësim të ri të Departamentit të Shtetit.

Qëllimi i Kinës është “të ndërtojë një ekosistem informacioni në të cilin propaganda dhe dezinformatat e Republikës Popullore të Kinës fitojnë përkrahje dhe bëhen dominuese”, thuhet në raport. “Të pakontrolluara, përpjekjet e Republikës Popullore të Kinës do të ndryshojnë peizazhin global të informacionit, duke krijuar paragjykime dhe boshllëqe, që madje mund t'i shtyjnë vendet të marrin vendime që ia nënshtrojnë Pekinit interesat e tyre ekonomike dhe të sigurisë”.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për përpjekjet e Kinës për të kthyer mjedisin e informacionit në dëm të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Zyrtarët amerikanë thanë gjatë muajve të parë të pandemisë COVID-19 se Kina po përdorte më shumë rrjetet sociale për të përhapur dezinformata rreth origjinës së virusit.

Një vit më vonë, në vlerësimin vjetor të rrezikut nga kërcënimet, Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar tha se Pekini do të “vazhdojë përpjekjet duke shfrytëzuar gjithë fuqinë qeveritare për të përhapur ndikimin e Kinës... dhe për të krijuar norma të reja ndërkombëtare që favorizojnë sistemin autoritar kinez”.

Por, raporti i ri i Departamentit të Shtetit pretendon se ajo që zyrtarët amerikanë po shohin tani është diçka e ndryshme, se përpjekjet e Kinës për manipulimin e informacionit kanë shkuar përtej fushatave specifike të përqëndruara tek një temë apo ngjarjeje specifike.

Në vend të kësaj, raporti vlerëson se përpjekjet e Pekinit kanë një ambicie më madhore.

Nëse do të ishte i suksesshëm, “Pekini do të krijonte një aftësi kirurgjikale për t’i dhënë formën që do informacionit që konsumojnë grupe të veçanta dhe madje individë”, thuhet në raport. “Në këtë të ardhme të mundshme, informacioni që do t’i ofrohet publikut, medias, shoqërisë civile, akademikëve dhe qeverive që kanë të bëjnë me Republikën Popullore të Kinës, do të shtrembërohet”.

Një Mjet Shtesë Kundër Kinës

Zyrtarët e qeverisë kineze nuk pranuan të komentojnë detajet e raportit të Departamentit të Shtetit. Por, në një reagim dërguar Zërit të Amerikës me postë elektronike, zëdhënësi i ambasadës kineze Liu Pengyu e quajti raportin, “një mjet shtesë për të shtypur Kinën dhe për të mbështetur hegjemoninë amerikane”.

“Një vështrim i shpejtë në përmbledhjen e raportit është i mjaftueshëm për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë: rritje e konfrontimit ideologjik, përhapja e dezinformatave dhe njollosja e politikave të brendshme dhe të jashtme të Kinës”, tha zoti Liu. “I bëjmë thirrje SHBA-së që të reflektojë për veten, të ndalë së akuzuari Kinën për të ashtuquajturin ‘manipulim informacioni’”.

Raporti i Departamentit të Shtetit tha se vlerësimet mbështeten në informacionin që është publik, si dhe në “informacionet e marra rishtazi nga qeveria”.

“Ndërsa Republika Popullore e Kinës është bërë më e sigurt në fuqinë e saj, duket se ka vendosur se mund të veprojë në mënyrë më agresive për të arritur interesat e saj”, thotë më tej raporti.

Megjithatë, raporti paralajmëron se përpjekjet e konsiderueshme të Kinës janë përballur me probleme, deri më tani, për të arritur ndikimin e dëshiruar në vendet perëndimore dhe ato me prirje perëndimore.

“Kur vendos në objektiv vendet demokratike, Pekini has në pengesa të mëdha, shpesh për shkak të kundërshtimeve nga mediat lokale dhe shoqëria civile”, thuhet në raport. “Edhe pse e mbështetur nga burime të pahasura më parë, propaganda dhe censura e Republikës Popullore të Kinës deri më sot ka patur sukses të kufizuar”.

Ky vlerësim doli pas atyre të kompanisë “Meta”, që ka në pronësi rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, e cila në gusht njoftoi për një operacion nëpërmjet të cilit mbylli llogari dezinformuese të lidhura me Kinën, operacion i njohur me emërtimin “Spamouflage”.

“Meta” tha se megjithëse “Spamouflage” ishte “operacioni më i madh i njohur i ndikimit të fshehtë në rrjete të ndryshme sociale në botë", Pekini pati sukses të pakët.

“Një Paralajmërim me Rëndësi”

Bret Schafer, bashkëpunëtor i lartë në Aleancën për Sigurimin e Demokracisë me seli në Uashington, i tha Zërit të Amerikës nëpërmjet postës elektronike se “Spamouflage” është një paralajmërim i rëndësishëm.

“Kjo i kujtoi botës se Kina po investon kohë dhe burime të saj për të manipuluar mjedisin e informacionit”, tha ai.

Dhe ka tregues se Kina është bërë më e sofistikuar.

Një raport në fillim të këtij muaji nga firma “Microsoft” sugjeron se gjatë përpjekjeve kineze për dezinformim është përdorur me sukses inteligjenca artificiale.

Një përdorim i tillë i inteligjencës artificiale ka shqetësuar veçanërisht zyrtarët e shërbimeve amerikane të zbulimit.

“Rusia, Kina, dhe të tjerë do të përpiqen ta përdorin këtë teknologji”, i tha gjenerali Paul Nakasone një audience në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington të enjten, kur u pyet për inteligjencën artificiale dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Zoti Nakasone drejton Komandën Kibernetike të Shteteve të Bashkuara dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA).

Të tjerë në NSA mendojnë se Kina po fiton terren dhe po krijon ndikim, dhe se po përgatitet për ta shfrytëzuar këtë ndikim kur të jetë e nevojshme.

“Ata kanë ndikim në rritje në rrjetet sociale në të gjithë botën”, thotë David Frederick, zëvendësdrejtori i NSA-së për Kinën, gjatë një seminari që u mbajt përmes internetit në fillim të këtij muaji. “Kjo mund t'u mundësojë atyre të kryejnë operacione shumë të gjera informacioni në një shkallë shumë të madhe, në rast konflikti”./VOA