A mund të ndihmojë inteligjenca artificiale në ulje të emetimeve të karbonit?

A mund të ndihmojë inteligjenca artificiale në ulje të emetimeve të karbonit?

Auto&Tech September 03, 2023 - 13:51

Në gjithë botën, serverët e të dhënave sa shkojnë e shtohen, duke shpenzuar energji elektrike dhe burime tjera, për ta jetësuar botën digjitale.

Më shumëse 8.000 qendra të të dhënave në planet janë themeli i ekzistencës së botës online, dhe qendrat do të vazhdojnë të rriten me avancim të inteligjencës artificiale (IA).

Madje, vlerësohet që deri më 2025, industria e teknologjisë informative do ta shfrytëzojë 20 për qind të të gjithë rrymës së prodhuar, dhe do të jetë përgjegjëse për 5.5 për qind të emetimeve të karbonit në botë.

Parashikime të tilla nxisin pyetje reale – ose edhe urgjente – për gjurmët e karbonit të teknologjisë informative.

“Kutia e Pandorës është e hapur”, ka thënë Arun Iyengar, sipërmarrës i Untether AI, kompani e specializuar për prodhim të çipave, e cila synon ta bëjë inteligjencën artificiale më efiçente.

“Ne mund ta përdorim IA në mënyra që rrisin diskutimet për klimën, ose mund t’i injorojmë kërkesat për klimë dhe të përballemi me pasojat pas një dekade”.

Transformimi i serverëve të të dhënave në botë, me përfshirje më të madhe të inteligjencës artificiale, veçse është duke ndodhur.

Mirëpo shkalla e ndryshimit është tepër e madhe.

Krijimi i produkteve me inteligjencë artificiale sikurse GPT-4, që e funksionalizon ChatGPT, ndahet në dy faza kyçe: në trajnim aktual dhe ekzekutim.

Më 2019, hulumtuesit e Universitetit Masaçusets i kanë trajnuar disa modele gjuhësore dhe kanë thënë se trajnimi i një modeli të vetëm të inteligjencës artificiale mund të emitojë karbon në sasi të njëjtë sa pesë makina gjatë gjithë kohës së përdorimit të tyre.

Një studim tjetër i kryer së fundi nga Google dhe Universiteti i Kalifornias, ka gjetur se trajnimi i GPT-3, ka rezultuar me 552 tonë të emetimeve të karbonit, e barasvlershme me vozitje të një makine për 2 milionë kilometra./REL