Si e “varrosi” Musku perandorinë Twitter dhe hapi derën për rikthimin e madh të Zuckerbergut?

Si e “varrosi” Musku perandorinë Twitter dhe hapi derën për rikthimin e madh të Zuckerbergut?

Auto&Tech August 01, 2023 - 08:57

Rrallëherë mund të shihet se si një markë e një korporate të bëhet temë ditore dhe të analizohet kaq shumë. Por, është edhe më e rrallë që pronari i një marke të tillë të prezantojë plane, të cilat do ta shkatërrojnë atë.

Të dielën, në mes të një fundjave të qetë verore, Elon Musk e dekretoi vendimin, i cili i ndërronte emrin e rrjetit social Twitter në “X”. Gjithashtu ka larguar edhe logon prej zogut të kaltër dhe të gjitha fjalët që lidhen me atë emër, duke përfshirë edhe fjalën “tweet”. Sipas analistëve dhe agjencive të markave, ky veprim rezultoi me rënie të vlerës së kompanisë prej katër deri në njëzet miliardë dollarë.

“U deshën mbi 15 vite që të arrihej një kapital i tillë në mbarë botën, kështu që largimi i Twitterit si emër i markës është një goditje e madhe financiare”, tha Steve Susi, drejtor i komunikimit të markës në “Siegel & Gale”, shkruan revista Time, përcjell Telegrafi.

Musk, kompania e të cilit veçse kishte rënie të ndjeshme të vlerës që kur ai e bleu për 44 miliardë dollarë në tetorin e vitit 2022, prezantoi ndryshimet në mbrëmjen e së shtunës. Të hënën në mëngjes, një logo e re “X” me ngjyrë të zezë e punuar nga një fans i Muskut, filloi të shfaqet në ndërtesën e San Francisco. Linda Yaccarino, drejtoresha e re ekzekutive e shpalosi vizionin e kompanisë X, ku rrjeti social do të bëhet një faqe për audio, video, mesazhe, pagesa dhe transaksione të tjera bankare.

Analistët dhe agjencitë e markave riemërimin e produktit e quajtën një gabim. Twitter është një nga markat më të njohura të rrjeteve sociale, deklaroi Todd Irwin, themelues i Fazer, agjencisë së markave. Pamjet e shpendëve zbukurojnë bizneset e vogla dhe faqet e internetit në mbarë botën, së bashku me logot e Instagram dhe Facebook.

Popullariteti i Twitter ndër të tjera, foljet si “tweet” dhe “retweet” ishin bërë pjesë e kulturës moderne, të cilat i shfrytëzonin rregullisht të famshmit, politikanët dhe të tjerët kur komunikonin me publikun, tha Joshua White, profesor asistent i financave në Vanderbilt University.

X-i duhet ta ndërtojë këtë ‘art’ kulturor dhe konsensus gjuhësor nga e para. Por, kjo mund të jetë pjesë e motivimit, pasi që përdoruesit do të ndalojnë së krahasuari periudhën pas blerjes së Twitter me periudhën e mëparshme. “Është një gjë shumë e rrallë – si në jetë ose në biznes – që të jepet një mundësi e dytë për të lënë një përshtypje të madhe”, shkroi Yaccarino.

Kompani të tjera teknologjike e kanë riemëruar veten viteve të fundit. Google u kthye në Alphabet Inc. në mënyrë që t’iu mundësojë bizneseve të tjera brenda kompanisë që të rriten pa qenë të lidhura me kërkimin. Facebook e mori emrin Meta Platforms Inc. në mënyrë që të theksojë përkushtimin e kompanisë ndaj metaverse, por emrat e produkteve të këtyre kompanive mbeten të pandryshuara.

Kjo ka vlerë të madhe.

Sipas firmës konsulente për vlerësimin e markave, Brand Finance, vlera e markës Twitter shkon deri në 4 miliardë dollarë. Kjo firmë Facebook-un e vlerëson me 59 miliardë dollarë dhe Instagram-in me 47.4 miliardë dollarë. Në anën tjetër, Vanderbilt University markën e Twitter e vlerëson prej 15 deri në 20 miliardë dollarë, vlerë e cila është e krahasueshme me Snapchat.

Vlerësimi i markave është i vështirë për tu përcaktuar, dhe nuk ka asnjë qasje të vetme, prandaj edhe ndryshojnë vlerësimet, tha Dipanjan Chatterjee, analist në Forrester Research Inc.

Por, disa analistë dhe agjenci kanë rënë dakord se marka e kompanisë ka marrë një goditje të madhe që kur u ble nga miliarderi. Për shembull, Brand Finance, vlerëson se marka e Twitterit vitin e kaluar kishte humbur 32 për qind të vlerës së saj.

Teksa perceptimi i markës së Twitter ka ndryshuar, reklamuesit janë larguar. Reklamuesit ishin të shqetësuar në lidhje me paraqitjen e polemikave nga Musku, dhe pranimin e tweet-ave të cilat thyen rregullat e përmbajtjeve. Elon Musk ka bërë të ditur se që nga muaji tetor, fitimet nga reklamat kanë rënë me 50 për qind.

“Marka e korporatës së Twitterit është tashmë shumë e ndërthurur me markën personale të Muskut, me ose pa emrin X, dhe pjesa më e madhe e kapitalit të markës së krijuar të Twitter tashmë ka humbur mes përdoruesve dhe reklamuesve”, tha Jasmine Enberg, analiste e Insider Intelligence.

“Është plotësisht irracionale nga një pikëpamje e biznesit dhe markës” ishin fjalët e Allen Adamson, bashkëthemelues i Metaforce, grupit konsulent të marketingut dhe markës.

Ai këtë veprim e quajti si “egoist” të Muskut. “Për mua, do të hyjë në histori si një nga rëniet më të shpejta të një biznesi dhe marke ndonjëherë”, shtoi ai.

Ekziston gjithashtu rreziku për qëllimet e ardhshme të Muskut.

Ndërtimi i veprimeve bankare dhe pagesave në aplikacion do të kërkojë besimin e klientit – diçka që është e vështirë të arrihet me një emër krejt të ri.

“Unë thjesht mendoj se klientët që nuk janë fansa të Muskut do ta kenë të vështirë të përdorin Twitterin për të shkëmbyer paratë e tyre”, shtoi White.

Është një gjë që funksionon në favor të Muskut, “Marka Elon”, shtoi Todd Irwin. “Marka e tij personale mund të jetë më e fuqishme se marka e Twitterit”, përfundoi Irwin.