Njohja e gjuhës shqipe në Google Ads dhe Adsense, ndihmë edhe për bizneset

Njohja e gjuhës shqipe në Google Ads dhe Adsense, ndihmë edhe për bizneset

Auto&Tech July 09, 2023 - 22:41

Një peticion që është nisur një vit më parë për njohjen e gjuhës shqipe në platformat e Google Ads dhe Adsense ditëve të fundit ka marrë jehonë të madhe. Nismëtari i këtij peticioni ka thënë për Tëvë1 se kjo i ndihmon bizneseve shqiptare që të përfitojnë më shumë nga këto platforma. Edhe njohës të fushës e kanë mirëpritur këtë nismë.

U nis rreth një vit më parë. E ditëve të fundit, u shpeshtuan thirrjet për nënshkrimin e tij.

Elton Heta nga Shqipëria ka nisur një peticion ndaj Google që gjuha shqipe të mos penalizohet dhe të jetë pjesë e platformave Google Ads dhe Adsense.

Heta i cili është inxhinier i teknologjisë, tregon se me njohjen e gjuhës shqipe, mund të përfitojnë shqiptarët nga Kosova, Shqipëria por edhe Maqedonia e Veriut.

Ai bën thirrje që nisma e tij të përkrahet nga të gjithë, në mënyrë që të ketë efekt pozitiv por edhe përgjigje të shpejt nga Google.

Ndërkaq, këtë peticion e kanë mirëpritur edhe njohësit e fushës së teknologjisë.

Ramadan Dervishi thotë se mosnjohja e gjuhës shqipe në këto platforma, u ka shkaktuar bizneseve shqiptare vështirësi të ndryshme.

Ky peticion është nënshkruar deri më tash nga rreth 17 mijë persona, teksa për të arritur numrin e duhur duhet të jenë 25 mijë nënshkrues.

Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës se a janë duke ndërmarrë ndonjë hap në këtë drejtim, por që përkundër pritjes për më shumë se dy javë, nuk ka pasur përgjigje.