Inteligjenca Artificiale ua zë vendin e punës gazetarëve në Gjermani

Inteligjenca Artificiale ua zë vendin e punës gazetarëve në Gjermani

Auto&Tech June 28, 2023 - 09:56

Axel Springer SE, shtëpia më e madhe botuese evropiane, njoftoi se do të zëvendësojë një sërë pozicionesh pune editoriale me Inteligjencën Artificiale(AI). Në një email dërguar personelit (më 19 qershor), Springeri deklaroi se “për fat të keq do të ndahet nga kolegët që punojnë, të cilët do të zëvendësohen nga AI dhe/ose nga procese të botës digjitale”.

Funksionet e drejtorëve të redaksisë, redaktorëve të faqeve, korrektorët, sekretarët dhe montazhierët nuk do të ekzistojnë më si sot”.

Shkurtimet e vendeve të punës në Springer, shtëpia e markave të lajmeve si “Bild” dhe “Die Welt”, do të rrisin frikën se AI do të shkaktojë rrëmujë në të gjithë industrinë e medias në botë. Chatbot si ChatGPT mund të përdoren për të shkruar lajme, duke i bërë të padobishëm gazetarët njerëzorë.

Inteligjenca Artificiale ka shkelur njerëzimin

“Për herë të parë, është vetë makina që po krijon gjuhën” – deklaroi Ranga Yogeshwar, një nga gazetarët kryesorë të pavarur shkencorë në Gjermani. Në Global Media Forum të Deutsche Welle në Bon, Yogeshwar diskutoi se si AI gjeneruese po ndryshon krijimin e përmbajtjeve. Digital News Report i Reuters Institute deklaroi se 2023 do të jetë “viti i zhvillimit për Inteligjencën Artificiale dhe zbatimit të saj në gazetari”.

Raporti thekson se mjetet e transkriptimit të Inteligjencës Artificiale janë tashmë rutinë në redaksitë dhe shumë e përdorin edhe për të krijuar titra. Edhe disa shoqëri mediatike po eksperimentojnë me drejtues virtualë lajmesh. Dhe aplikacionet si “Artifact” tashmë po ofrojnë përmbledhje të lajmeve online, të krijuara nga AI për lexuesit.

Por disa analistë të medias mendojnë se AI, duke marrë përsipër detyra banale, do t’u lejojë gazetarëve të përqendrohen në reportazhe investiguese dhe analiza të thelluara.

“Mendoj se do të fillojmë të shohim gjithnjë e më shumë organizata mediatike që do të hedhin hapin përtej mundësive” – deklaroi Nilesh Christopher, korrespondent nga Azia Jugore për “Rest of World”, një botim online që i kushtohet ndikimit të teknologjisë. 

Në Global Media Forum të Deutsche Welle në Bon ai përmendi si shembull ekipin e kërkimit open-source “Watchdog Sri Lanka”.

“Nuk flitet për një organizatë të madhe, por për pesë a gjashtë redaktorë. Ata mundën të përfshijnë artikujt e tyre në një sistem të mësuari automatik open-source (open-source machine-learning).

Tashmë ata kanë një ndërfaqe chat ku mund të pyesni: çfarë ndodhi në Sri Lanka kur ish-presidenti Rajapaksa u kthye në vend? Kjo është e ardhmja që dua të shoh”.

Ai theksoi se vetëm gazetarët mund t’u japin një kontekst lajmeve. Njerëzit nuk mund të munden nga IA kur flitet për krijimtari, mendim kritik apo gjykim etik.

“Gazetarët do të mbeten në qendër. Nuk mund të zëvendësohemi” – deklaroi Christopher.

Inteligjenca Artificiale krijon lajme të rreme

“Kemi një mjet të ri që mund të përshpejtojë disa procese” – thotë gazetari shkencor Ranga Yogeshwar.

“Me AI kemi një katalizator që do të krijojë më shumë përmbajtje se sa mund të bëjnë njerëzit”.

Këto përmbajtje mund të jenë mashtruese ose të rreme.

“Ne nuk mund t’u kemi më besë tani përmbajtjeve. Dhe kjo nuk vlen për faktet aktuale por edhe ato të së shkuarës. Ju mund ta ndryshoni fjalë për fjalë historinë, por kush do të mundet ta verifikojë?”.

Yogeshwar thotë se politikanët duhet të krijojnë një rregullore për AI para se ajo të trondisë themelet e shoqërisë. Shumë gazetarë shpresojnë se kërkesa për histori unike, të hulumtuara dhe të rrëfyera nga njerëzit të rritet kur njerëzit të kenë mjaftueshëm lajme të krijuara nga AI. Por edhe nëse kjo rezulton e vërtetë, mijëra redaktorë, si ata të tabloidit gjerman “Bild”, mund të kenë humbur punën e tyre. /DW