Microsoft: Hakerët rusë po përgatiten për sulme te reja ndaj Ukrainës

Microsoft: Hakerët rusë po përgatiten për sulme te reja ndaj Ukrainës

Auto&Tech March 16, 2023 - 08:38

Hakerët rusë duket se po përgatiten për një valë të re të sulmeve kibernetike ndaj Ukrainës, përfshirë edhe sulme me virusë që kërcënojnë organizatat që shërbejnë si linja furnizimi për Ukrainën, u tha në një raport të Microsoft-it të publikuar më 15 mars.

Raporti, autor i të cilit është ekipi për siguri kibernetike i gjigantit të teknologjisë, ka paraqitur disa zbulime të reja sesi hakerët rusë operuan gjatë konfliktit në Ukrainë dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.

“Që nga janari i vitit 2023, Microsoft ka vëzhguar aktivitetin kërcënues kibernetik rus, që është duke u përshtatur me qëllim që të rrisë aftësinë shkatërruese të grumbullimit të inteligjencës në Ukrainë dhe të aseteve civile dhe ushtarake të partnerëve të saj”, thuhet në raport. Një grup “duket se po përgatitet të rinisë një fushatë shkatërruese”.Gjetjet e ekipit të Microsoft vijnë në kohën kur Rusia po dërgon trupa të reja në fushëbetejën në lindje të Ukrainës, sipas zyrtarëve perëndimorë të sigurisë. Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, muajin e kaluar paralajmëroi se Rusia mund të rrisë aktivitetin e saj ushtarak, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Ambasada Ruse në Washington nuk ka dashur të komentojë për këto gjetje.