Si po e ndryshon Elon Musk rrjetin Twitter?
Ajo që po shihni kohët e fundit në murin tuaj në Twitter po ndryshon. Por si?
Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk, po përpiqet të dëshmojë, duke u dhënë qasje gazetarëve të caktuar në disa prej komunikimeve të brendshme të kompanisë, të quajtura “dosjet e Twitter-it”, se zyrtarët nga ekipi i mëparshëm drejtues dyshohet se kanë shtypur zërat e krahut konservator.
Këtë javë, Elon Musk shpërndau grupin këshillues, i njohur si Këshilli i mirëbesimit dhe sigurisë, i përbërë prej dhjetëra organizatash të pavarura civile, të të drejtave të njeriut dhe të tjera, të cilin kompania e kishte formuar në vitin 2016 për të trajtuar gjuhën e urrejtjes, ngacmimin, shfrytëzimin e fëmijëve dhe problemet tjera në këtë platformë.
Por, çfarë do të thotë ky zhvillim për atë që shfaqet në murin tuaj të informacionit çdo ditë në Twitter?
Lëvizjet tregojnë se Elon Musk po i jep përparësi përmirësimit të perceptimit të Twitter-it për të djathtën politike në SHBA.
Çka janë dosjet e Twitter-it?
Elon Musk e bleu Twitter-in për 44 miliardë dollarë në fund të tetorit, dhe qysh atëherë ka bashkëpunuar me një grup gazetarësh të zgjedhur me kujdes, si ish-shkrimtarin e Rolling Stone, Matt Taibbi, dhe opinionistin Bari Weiss.Në fillim të këtij muaji, ata filluan të publikojnë - në formën e një serie postimesh - veprimet që Twitter-i ndërmori më parë kundër llogarive që mendohej se kishin shkelur rregullat e kompanisë sa i përket përmbajtjes. Këtu përfshihen foto (screenshots) të email-eve dhe mesazhet mes anëtarëve të bordit, që pasqyrojnë bisedat brenda Twitter-it për ato vendime.
Weiss shkroi më 8 dhjetor se “autorët kanë qasje të zgjeruar në dosjet e Twitter-it, dhe kushti i vetëm që ne ramë dakord ishte që materiali të publikohej fillimisht në Twitter”.
Ai publikoi të hënën pjesën e pestë në lidhje me bisedat që çuan në vendimin e Twitter-it, më 8 janar 2021, për të pezulluar përgjithmonë llogarinë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, "për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës", pas sulmit vdekjeprurës në Kongresin amerikan.
Nga komunikimet e brendshme del që të paktën një punonjës i paidentifikuar që dyshonte se një nga postimet në Twitter përbënte nxitje të dhunës, zbulon gjithashtu reagimin e drejtuesve ndaj një fushate nga disa punonjës të tjerë që kërkonin veprime më të ashpra ndaj Trump-it.
Çka mungon?
Dosjet e Twitter-it zbulojnë disa nga proceset e brendshme të vendimmarrjes që prekin kryesisht llogaritë e krahut të djathtë, që kompania në atë kohë tha se thyenin rregullat e saj kundër urrejtjes, si dhe rregullat kundër përhapjes së dezinformatave rreth COVID-19.
Por, raportet bazohen kryesisht në disa raste të veçanta të një pjese të vogël të llogarive të profilit të lartë dhe nuk zbulojnë shifra në lidhje me shkallën e pezullimeve.
Gazetarët duket se kanë qasje të papenguar në mesazhet e kompanisë dhe janë mbështetur te drejtuesit e Twitter-it për të ofruar dokumente të tjera.
Dosjet e Twitter-it përmendin filtrimin e dukshmërisë. Çka domethënë kjo?
Në vitin 2018, pasi drejtuesi i atëhershëm, Jack Dorsey, tha se Twitter-i do të përqëndrohej në përmbajtjen shëndetshme të bisedave në platformë, kompania ofroi qasje të re që synonte të zvogëlonte ndikimin e përdoruesve përçarës, duke diktuar "sinjalet e sjelljes" që priren për të treguar kur përdoruesit janë më të interesuar për të bërë zhurmuesin, sesa për të kontribuar në diskutim.Twitter-i ka thënë prej kohësh se ka përdorur një teknikë si "filtrim i dukshmërisë" për të zvogëluar përhapjen e disa llogarive që mund të shkelin rregullat e platformës, por që nuk arrijnë në atë nivel sa të pezullohen. Por, kompania atëherë hodhi poshtë pretendimet se në mënyrë të fshehtë po "mbante në hije" pikëpamjet konservatore.
Fotografitë (screenshots) që janë publikuar tash, tregojnë pikëpamjen e një punonjësi për llogaritë e përdoruesve me emër dhe tregojnë se si funksionon ky filtrim në praktikë. Kjo ka bërë gjithashtu që Elon Musk të bëjë thirrje për ndryshime, për ta bërë këtë proces më transparent.
“Twitter-i po punon për një përditësim të programit që do të tregojë statusin e vërtetë të llogarisë suaj, kështu që ju mund të dini qartë nëse mesazhi juaj është filtruar, arsyen përse dhe si mund ta apeloni këtë vendim”, shkroi ai në Twitter.
Kush i monitoron postimet në Twitter tani?
Elon Musk largoi nga puna rreth gjysmën e stafit të Twitter-it pasi bleu platformën, dhe më vonë eliminoi një numër të panjohur punonjësish me kontratë që ishin fokusuar në moderimin e përmbajtjes. Disa punëtorë mbetën në punë u larguan po ashtu shpejt, duke përfshirë Yoel Roth, drejtuesin e sektorit të besimit dhe sigurisë së Twitter.
Largimi i kaq shumë punonjësve ngriti pikëpyetje se si platforma mund të zbatonte politikat e saj kundër dezinformatave të dëmshme, gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve e dhunës, si brenda SHBA-së, dhe në mbarë globin. Mjetet e automatizuara mund të ndihmojnë në zbulimin e përmbajtjeve të padëshiruara dhe disa llogarive të dyshimta, por postime të tjera kërkojnë një rishikim më të kujdesshëm njerëzor.Bhaskar Chakravorti, dekan në shkollën Fletcher në Universitetin Tuft, thotë se reduktimet do ta detyrojnë Twitter-in të përqendrojë përpjekjet për moderimin e përmbajtjes në rajone me rregullore më të forta të platformave të mediave sociale, si Evropa, ku kompanitë e teknologjisë mund të përballen me gjoba të mëdha sipas Aktit të ri të Shërbimeve Digjitale, nëse nuk bëjnë përpjekje për të luftuar dezinformimin dhe urrejtjen.
“Pak moderatorë të përmbajtjes që kanë mbetur, do të përqendrohen tek Evropa, sepse Evropa është më e zhurmshme”, tha ai.
A ka pasur ndikim kjo praktikë e re?
Prej kur Elon Musk bleu Twitter-in, një numër studiuesish dhe grupesh avokuese, kanë nënvizuar se ka një rritje të postimeve që përmbajnë epitete racore ose sulme ndaj hebrenjve, homoseksualëve dhe personave transgjinorë.
Në shumë raste, postimet u shkruan nga përdorues, të cilët thanë se po përpiqeshin të testonin kufijtë e rinj të Twitter-it.
Sipas Muskut, Twitter-i veproi shpejt për të reduktuar filtrimin e përgjithshëm të postimeve dhe se përdorimi i përgjithshëm i gjuhës së urrejtjes është ulur që kur ai bleu kompaninë, por që kjo kontestohet nga studiuesit.Shenja më e dukshme e ndryshimit në Twitter janë përdoruesit që më parë llogaritë e tyre ishin të bllokuara, si ajo e Donald Trumpit, faqja satirike The Babylon Bee, komedianja Kathy Griffin, psikologun kanadez, Jordan Peterson.
Twitter-i ka rivendosur, gjithashtu, llogaritë e supremacistëve të bardhë neonazistë, duke përfshirë Andrew Anglin, krijuesin e faqes së internetit supremaciste të bardhë Daily Stormer - së bashku me mbështetësit e QAnon-it, të cilët garda e vjetër e Twitter-it i kishte hequr në masë për të parandaluar përhapjen e urrejtjes dhe dezinformimit në platformë.
Për më tepër, disa postime të profilit të lartë si republikanja Marjorie Taylor Greene, të cilët më parë ishin ndaluar për përhapjen e dezinformatave në lidhje me COVID-19, kanë rifilluar postimin e pretendimeve mashtruese për sigurinë e vaksinave dhe kurat e rreme.
Musk, i cili ka përhapur pretendime të rreme për COVID-19, iu kthye temës me një postim në Twitter këtë javë që tallte përemrat transgjinorë ndërsa bëri thirrje për akuza penale kundër Anthony Fauqit, ekspert i lartë i sëmundjeve infektive në vend dhe një nga drejtuesit e reagimit ndaj COVID-19 në SHBA.
Duke e quajtur veten një "mbrojtës absolut të fjalës së lirë", Musk ka thënë se dëshiron të lejojë në Twitter të gjitha përmbajtjet që lejohen ligjërisht, por se gjithashtu dëshiron t'i ulë postimet negative dhe postimet e urrejtjes.
Në vend që të heqë përmbajtjet toksike, thirrja e Musk-ut për "lirinë e fjalës, jo lirinë e përhapjes” sugjeron që Twitter-i mund ta lërë përmbajtjen e tillë, pa e rekomanduar ose pa e përhapur atë te përdoruesit e tjerë.Por, pas largimit të shumicës së drejtuesve politikëbërës të Twitter-it dhe këshilltarëve të jashtëm, Musk shpesh duket të jetë arbitri i asaj që e kalon kufirin.
Muajin e kaluar, vetë Musk njoftoi se po bllokonte Ye pasi reperi i njohur më parë si Kanye West, postoi një imazh të një shenje naziste të bashkuar me një Yll të Davidit, një postim që nuk ishte i paligjshëm, por thellësisht fyes.
Lëvizja çoi në pikëpyetje se cilat rregulla do të zbatohen se çfarë mund dhe nuk mund të postohet në platformë./REL