I kishte pezulluar vetë, Elon Musk rikthen llogaritë e disa gazetarëve
Elon Musk ka bërë me dije se shumë llogari gazetarësh të pezulluara nga Twitter, janë kthyer sërish në këtë rrjet social.
Bëhet fjalë për gazetarë të New York Times, CNN dhe Washington Post, të cilët ishin pezulluar nga vetë Musk, pasi ai i akuzoi se kishin shpërndarë të dhëna mbi vendndodhjen e tij. Por, mes kritikave të shumta, ai vendosi që të pyeste përdoruesit e Twitter-it se çfarë të bënte me ta.
Nga sondazhi doli se 59% e 3,6 milionë votuesve mendonin se pezullimi i tyre nuk ishte i drejtë.
“Populli foli. Llogaritë që treguan vendndodhjen time do të kthehen menjëherë”, shkroi miliarderi Musk në Twitter.
Gjithsesi, një nga llogaritë më të famshme, ElonJet, vijon të mbetet i pezulluar. Pronari i kësaj llogarie, 20-vjeçari Jack Sweeney, tregonte gjithmonë kur ngrihej dhe kur ulej avioni personal i Elon Musk. Miliarderi fajësoi atëherë këtë llogari për një incident me një person që e përndiqte.
Ndërkohë, politika e privatësisë së Twitter është përditësuar dhe thotë që përdoruesit “nuk mund të publikojnë informacion privat të njerëzve të tjerë pa miratimin dhe lejen e tyre”. /a2cnn