Falimenton firma FTX që tregtonte monedha dixhitale
Kompania FTX e tregtimit të kriptovalutave ka humbur disa miliarda dollarë, duke deklaruar falimentimin ndërsa shefi ekzekutiv dhe themeluesi i firmës ka dhënë dorëheqjen. Firma e shkëmbimit të kriptovalutës njihej si një nga më të mëdhatë në botë.Firma FTX dhe dhjetëra kompani të lidhura me të, përfshirë fondin e themeluesit të firmës, Sam Bankman-Fried, Alameda Research, deklaruan javën e kaluar falimentimin në shtetin Delaware.
FTX kishte një vlerë në treg prej 10 deri 50 miliardë dollarësh, duke rreshtuar më shumë se 100 kompani të lidhura me të në mbarë botën, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë.
Falimentimi i një prej firmave më të mëdha në botë të këmbimit të kriptomonedhave po dërgon sinjale tronditëse për industrinë.
Firma “TPX Property Exchanges” përdor teknologjitë e monedhave dixhitale si blockchain, e cila ofron sherbime financiare dhe regjistron trasaksionet e aseteve në një rrjet biznesi.
Antony Abell është shef ekzekutiv dhe bashkëthemelues i firmës “TPX Property Exchanges”
“Shumë prej drejtuesve të industrisë u ra në sy që shifrat nuk ishin të qarta, struktura ishte e gabuar, nuk kishte transparencë dhe kishte gabime në udhëheqjen e firmës. Këto janë çështje themelore për të cilat është punuar nga firmat e kapitaleve private dhe tregjeve”.
Në fillim të vitit Bankman-Fried u vlerësua si shpëtimtar pasi ai ndihmoi financiarisht disa kompani të monedhave dixhitale që hasën probleme. Së fundmi, ai është vlerësuar se ka një pasuri ne vleren e rreth 23 miliardë dollarëve.
Frances Coppola është analiste e pavarur në fushën e financave.
“Ajo që duket se ka ndodhur është se firma FTX transferoi disa nga asetet e klientëve të saj tek kompania Alameda Research. Mendojmë se ka ndodhur në kohën e dështimit të fondit Three Arrows Capital në qershor, sepse Alameda Research ishte përfshirë përmes kompanive të tjera. Pra duket se ka patur humbje dhe duket sikur FTX e ka ndihmuar financiarisht atë duke përdorur investimet e klientëve”.
Klientët e braktisën platformën FTX nga frika nëse firma do të kishte kapital të mjaftueshëm, ndërsa FTX u pajtua të blihej nga firma rivale e monedha dixhitale Binance. Por marrëveshja mes FTX dhe Binance dështoi ndërsa priteshin analizat e bilancit financar nga firma Binance.
Analistja Frances Coppola thotë se platforma tregtare FTX duhet t’i kishte të gjitha asetet e klientëve të saj, por nuk rezultoi kështu.
“Ata në fakt nuk mund të marrin asetet që u nevojiten për t'ua kthyer klientëve. Nëse me të vërtetë kanë likuidet ata duhet të rimbursojnë klientët e tyre. Por ata nuk mund ta bëjnë këtë, kanë falimentuar”.
Kompanitë që mbështetën firmën FTX po llogarisin humbjet ndërsa ka rënë vlera e monedhave dixhitale dhe bitcoin-it. Politika dhe rregullatorët po bëjnë thirrje për mbikëqyrje më të rreptë ndaj industrisë së monedhave dixhitale.
Firma FTX konfirmoi të shtunën se në rrjetin e saj kishte patur ndërhyrje të paautorizuar, disa orë pasi shpalli falimentimin. Në rrjetet sociale u hapën debatet se firma ishte hakeruar ose ndoshta dikush nga brenda kompanisë i kishte vjedhur fondet, një mundësi që analistët nuk e përjashtojnë.
Shefi i ri ekzekutiv i firms FTX, John Ray III, njoftoi se po çaktivizonte aftësitë për të tregtuar ose tërhequr fonde nga platforma dhe po ndërmerrte hapa për të siguruar investimet e klientëve.
Policia në Bahamas, ku ndodhet qendra e firms FTX, tha se ka hapur hetime. Firma FTX pati bërë disa marrëveshje me emra të njohur si Federata Kombëtare e Basketbollit, NBA, Mercedes dhe Formula Uno, firma që kanë kërkuar prishjen e kontratave./VOA