Elon Musk me mesazh për stafin e Twitter: Rritni angazhimin me orë të zgjatura në punë
Miliarderi amerikan Elon Musk i dërgoi një mesazh të ri stafit të Twitter-it, në të cilin u dha atyre afat deri nesër për të vendosur nëse duan të qëndrojnë në kompani me “orë të zgjatur pune dhe intensitet të lartë pune” apo të marrin paketën e largimit prej tri pagave.
Musk tha se do të konsideronte çdo punonjës që të largohej nëse deri të enjten në mbrëmje me orën e Nju Jorkut ata nuk do të kishin klikuar në një lidhje që konfirmonte se ata “duan të jenë pjesë e Twitter-it të ri”.
“Çfarëdo vendimi që merrni, faleminderit për përpjekjet tuaja për ta bërë Twitter të suksesshëm”, thuhet në mesazh.
“Në perspektivë, për të arritur depërtimin e Twitter 2.0 dhe për të pasur sukses në një botë gjithnjë e më konkurruese, do të duhet të jemi jashtëzakonisht të angazhuar. Kjo do të thotë orë të gjata pune me intensitet të lartë pune. Vetëm performanca e jashtëzakonshme e punës do të marrë notë kaluese”, thuhet në mesazh.
Twitter pushoi më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore në fillim të këtij muaji menjëherë pasi Musk mori kontrollin e kompanisë.
Musk kritikoi shpenzimet dhe kulturën e punës së Twitter-it, duke thënë se kompania kishte nevojë për një shkurtim të madh të shpenzimeve dhe një rinisje të shërbimeve të saj.