Çfarë do të ndodhë tani me Twitter dhe Musk?
Burri më i pasur në botë mbylli marrëveshjen me vlerë 44 miliardë dollarë për blerjen e Twitter dhe pushoi menjëherë nga puna pesë krerët më të lartë ekzekutivë të kompanisë, sipas raportimit të mediave amerikane.Sipas "New York Times”, mes atyre që u pushuan nga puna është drejtori ekzekutiv i Twitter, Parag Agrawal, së bashku me drejtuesin financiar, drejtuesin
ligjor, atë të politikave dhe këshilltarin e përgjithshëm të kompanisë.
Pak orë më pas, Musk publikoi në Twitter: "Zogu është i lirë”, duke bërë analogji me logon e kompanisë së sapoblerë. Ai gjithashtu postoi një video të tij duke hyrë
në zyrat qendrore të Twitter, me një lavaman porcelani në duar. Mbishkrimi i videos ishte: "Hyrja në selinë e Twitter – le të fundoset!”
Pronari i Teslas, ndryshoi gjithashtu të dhënat në profilin e tij në Twitter, duke theksuar punën e tij, dhe ndryshoi gjithashtu vendndodhjen, duke vënë atë të selisë
së Twitter në San Francisco.
Çfarë do të ndodhë tani me Twitter dhe Musk?
Gjatë së enjtes (27.10) ai shpëndau një mesazh me anë të së cilit vuri në dukje se kishte pasur spekulime rreth qëllimeve të tij për blerjen e kësaj platforme dhe
ripërsëriti qëndrimin e tij, se e kishte blerë Twitter për të "ndihmuar njerëzimin”.
Në fillim të kësaj jave, aksionet e Twitter iu afruan vlerës së ofruar nga Elon Musk, si një shenjë që shitësit po jepnin për t'i dhënë fund biznesit në shifrën prej 44
miliardë euro, për të shmangur në këtë mënyrë vendimin gjyqësor që do të jepej në fund të javës.
Afati kohor për të premten (28.10) ishte përcaktuar në fillim të muajit tetor nga gjykata e Delaware. Vendimi pasoi një betejë epike, gjatë së cilës Musk firmosi
fillimisht kontratën për blerjen e Twitter, por më pas hoqi dorë prej saj. Menjëherë më pas, kompania paditi Musk duke e detyruar atë ta çonte deri në fund
marrëveshjen fillestare. Nëse të dyja palët nuk do ta respektojnë këtë afat kohor të dhënë nga gjykata, një tjetër seancë mund të zhvillohet në muajin nëntor.
Shumë përdorues të Twitter kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me pretendimin e Musk për të mbrojtur "lirinë e shprehjes” në këtë platformë, përfshirë edhe mundësinë për rikthimin e ish-presidentit Donald Trump, të cilit iu ndalua përdorimi i Twitter pas trazirave që shkaktoi në 6 janar në Capitol Hill në
Uashington. Marrëveshja e biznesit për të lënë platformën e medias sociale në duart e personit më të pasur të botës, ka ngritur shqetësime.
Si po reagojnë njerëzit?
Që nga lajmi i blerjes së Twitter nga ana e Elon Musk, e gjithë bota është përfshirë në debate pro dhe kundër.
Zyrtari i Bashkimit Europian që është përgjegjës për rregulloren e internetit, paralajmëroi pronarin e ri se gjiganti i mediave sociale, Twitter, në Europë duhet të
sillet sipas rregullave të Unionit.
"Në Europë, zogu do të fluturojë sipas rregullave tona (BE)” – shkroi në Twitter
Thierry Breton, komisioner i tregut të brendshëm. Reagimi i tij erdhi menjëherë pas statusit të Musk "Zogu është tashmë i lirë”. Ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili nuk u lejua të përdorë më Twitter që
nga 6 Janari 2021, pas sulmeve në Capitol Hill, tha se tashmë platforma ishte ‘në duar të sigurta”.
"Ka qenë sigurisht një proces me ulje-ngritje të mëdha dhe jemi të kënaqur nga këndvështrimi financiar që marrëveshja u mbyll” – i tha Reuters Steve Johnson,
zyrtari më i lartë i investimeve në Fondin e Investimeve në Australi.
"Do të habitesha nëse njerëzit në poste të larta këtu, do të qëndronin ende. Mendimi im është se Musk do të sillet edhe me Twitter njësoj siç sillet me kompanitë e tjera të tij: i pamëshirshëm. Në kuptimin që, "nëse doni të rrini në punë, duhet të prodhoni një produkt shumë fitimprurës”. Dhe unë besoj që kompania, prej kohësh ka pasur nevojë për këtë strategji, shtoi ai.
Changpeng Zhao, krijues dhe drejtues i "Binance”, bashkë-ortak i Musk në marrëveshjen me Twitter, tha se kompania e tij është shumë entuziaste që do të
mundë të ndihmojë manjatin e teknologjisë për të "realizuar një vizion të ri për Twitter”.
Duke folur për Reuters, ai tha se "në bashkëpunim me Musk, kanë si qëllim të bashkojnë forcat e platformës sociale me Web3, në mënyrë që të zgjerojnë
përdorimin dhe përshtatjen e teknologjisë kripto”.
Ndërkaq, bashkë-themeluesi i Twitter, Biz Stone, falenderoi tre drejtuesit kryesorë ekzekutivë të kompanisë, tashmë të pushuar nga Musk, për "kontributin e tyre kolektiv” në platformë. Në një Tweet ai shkroi: "Talente të mëdhenj dhe njerëz fantastikë, secili prej jush”.
Steven Beardsley nga DW Business thotë se pyetja që shtrohet është: Për çfarë do ta përdore Twitter, Elon Musk?
"A do të jetë një hapësirë për të thënë të pavërteta apo diçka që do të jetë e përdorshme nga të gjithë? Si do ta shpëtojë namin e kësaj platforme, të cilën e bleu
si duke u tallur, dhe a mund ta kthejë atë në një platformë shumë serioze dhe të rëndësishme, mbase edhe të vlefshme?” – analizon Beardsley./dw