Biznesmeni Lazim Destani hap në Tetovë fabrikën për prodhimin e veturave elektrike
Kompania në pronësi të miliarderit tetovar Lazim Destani, NEXT.E.GO MOBILE SE, të shtunën do të mbajë ceremoninë zyrtare për nisjen e investimit të ri, e që është hapja e fabrikës "e.Go" për prodhimin e veturave të vogla elektrike në Tetovë.
Kjo u konfirmua edhe nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila në seancën e saj të djeshme, bëri të ditur se ka aprovuar ndihmën shtetërore për realizimin e investimit për ndërtimin e fabrikës së re me teknologji bashkëkohore për prodhimin e veturave elektrike në Zonën zhvillimore teknologjike – industriale në Tetovë.
“Automjetet elektrike e-go do të prodhohen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Një investim shumëmilionësh i NEXT.E.GO MOBILE SE, Aachen, Gjermani në ZIZHT Tetovë do të hapë nga 3.000 deri në 4.000 vende të reja pune. Kjo është hera e parë në industrinë e automobilave që në vendin tonë do të prodhohet një makinë e plotë dhe sigurisht që për herë të parë do të prodhohen makina elektrike”, thanë nga Qeveria.
Fabrika do të jetë në lidhje me prodhimin e veturave elektrike të kompanisë më të re të familjes Destani që ka filluar si start up në Gjermani “Next.e.GO Mobile”. Kompania ka hapur filialin e saj para disa ditësh edhe në Tetovë në adresën ku gjendet kompania “Ecolog-International” në Tetovë.
“Next.e.GO Mobile” është kompani start up gjerman në pronësi të familjes Destani dhe prodhon vetura të vogla elektrike. Fabrikën e parë ajo e hapi në Greqi ndërsa modeli i parë u zbulua para disa muajsh në Berlin. /Zëri