Tetë teknologjitë më të frikshme të kohrave moderne

Tetë teknologjitë më të frikshme të kohrave moderne

Auto&Tech July 04, 2022 - 22:18

Shumica prej nesh mund të paktën të bien dakord se teknologjia na e ka bërë jetën shumë më të thjeshtë.

Me anë të tekonologjisë, ne mund të dërgojmë mesazhe në anën tjetër të botës sa hap e mbyll sytë, të shohim filmat e preferuar me rezolucionin më të lartë apo edhe të paguajmë faturat nga telefoni ynë celular duke kursyer kohën dhe paratë.

Të gjitha këto tingëllojnë perfekte, ama askush nuk mund të mohojë se është merakosur sikur edhe një herë të vetme në jetë kur ka menduar për teknogjinë apo se sa të varur po bëhemi dita ditës ndaj formave të ndryshme të saj.Më poshtë mund të lexoni rreth disa prej teknologjive që e kanë ndryshuar një herë e përgjithmonë rrjedhën e ngjarjeve në tokë:

Lufta kibernetike

Imagjinoni një luftë të drejtuar tërësisht nga një kompjuter. Jo, nuk është fjala për një skenar filmi, por për një sulm të përqendruar kibernetik kundër infrastrukturës elektronike të një shteti.

Infrastruktura elektronike e një shteti përfshinë të gjithë shërbimet e emergjencës, sistemin bankar, rrjetin elektrik, furnizimet me ujë të pijshëm dhe rezervat e naftës apo edhe vetë artilerinë ushtarake. Një sulm i mirë-strukturuar do të ishte një rrezik i jashtëzakonshëm për një shtet.

Në vitin 2012, drejtuesi i FBI, James Comey parashikoi se sulmet kibernetike do t’ia kalonin shumë shpejt terrorizmit tradicional për t’u kthyer në rrezikun më të madh të sigurisë në vend.

Në vitin 2013, Koreja a Jugut akuzoi Korenë e Veriut për sulme kibernetike ndaj saj.

Hakerat ia kanë dalë të hyjnë në Pentagon më shumë se një herë. Rreziku i sulmeve kibernetike nuk është më pjesë e imagjinatës, ai është mes nesh. Ndaj si mund të mbrohemi?

Fillimisht duke edukuar masat rreth ekzistencës së viruseve, kuajve trojan dhe gjuhës së kodimit – vetëm kjo do të na bënte më të aftë për t’u vetëmbrojtur dhe për të pasur breza më të formuar në aspektin kompjuterik.

Deshifrimi i ADN-së

Hakerimi, dekriptimi, dekodimi – quajeni si të doni. Prej vitesh shkencëtarët kanë bërë të pamundurën për të deshifruar kodin tonë gjenetik me anë të një fushe studimi të quajtur bioteknologji.

Duke zbërthyer materialin tonë biologjik me shpresën se mund të kuptojnë si funksionon ky sistem kaq i komplikuar si trupi dhe truri i njeriut, shkencëtaret po kërkojnë jo vetëm të kuptojnë ADN-në tonë por edhe ta rishkruajnë atë apo të riparojnë qelizat e sëmura. Kështu, ata shpresojnë të gjejnë kurën e kancerit, Alzheimerit apo edhe vetë plakjes!

Në rastin më të mirë, kjo do t’i kthente biologët në heronjtë e njerëzimit, që do të arrijnë të na dërgojnë gjithësecilit kura të personalizuar me postë për të gjithë sëmundjet tona.

Skenari tejet i frikshëm ama, na detyron të mendojmë për rrezikun e inxhinierëve bioterroristë që bëhen aq inteligjentë sa në shkëmbim të parave apo përfitimeve të ndryshme, do të arrijnë të na shënjestrojnë deri në nivelin gjenetik.

Dhe diçka e tillë nuk është se nuk ka ndodhur. Gjatë këtij dhjetëvjecari, jemi hasur me aktivistin opozitar rus, Alexei Navalny, i cili u sulmua me agjent nervor dhe shpëtoi për mrekulli, edhe pse më vonë u arrestua. Presidenti Putin i ka mohuar gjithnjë akuzat se Kremlin ka dorë në këtë histori.

Skanimi i fytyrës

Skaneri i fytyrës apo facial recognition na e ka lehtësuar jetën në shumë aspekte por në të njëjtën mënyrë mund të na kthehet edhe kundër.

Kina akuzohet se po përdor teknologjinë e skanimit të fytyrës për të survejuar masat si dhe për të profilizuar njerëzit mbi baza raciste. Skanerët kinez nuk kapin vetëm ata që shkelin rregullat e qarkullimit por edhe muslimanët etnik të quajtur Uighur ndaj të cilëve Kina prej kohësh po përdor teknika abuzive si dërgimi në kampe pune apo burgosja.

Skanerët e Rusisë skanojnë rrugët për ‘persona me interes’ ndërsa Izraeli gjurmon Palestinezët në Bregun Perëndimor. Aplikimet janë të panumërta dhe bëhen me ose pa dijeninë tonë.

 Pluhuri inteligjent

Sistemet mikro-elektromekanike (MEMS), që kanë madhësinë e kokrrizave të kripës, kanë brenda sensorë, mekanizma komunikimi, furnizim autonom me energji elektrike si dhe kamera.

Pluhuri inteligjent apo smart dust, ka një mori përdorimesh pozitive në fushën e shëndetësisë apo siguresë por frika dhe shqetësimi se privatësia e qytetarëve të thjesht mund të cenohet nga kjo teknologji vijnë natyrshëm në mendje.

 Robotët e Lajmeve të Rreme

GROVER është një robot apo Inteligjencë Artificiale i cili ka aftësinë të shkruaj artikuj të rremë duke u bazuar vetëm në një titull.

Këto lloj sistemesh robotike shpesh shkruajnë artikuj më të besueshëm se sa ato të shkruara nga dora e njeriut.

Sa larg jemi nga koha kur këto sistemi të inteligjencës artificiale nuk do të mjaftohen me tekstin por do të kenë mundësi të krijojnë video tërësisht realiste të një personi që në fakt është avatar, duke thënë diçka që ai se ka thënë kurrë? Teknologjia po ecën vërtetë me hapa galopante por duhet të mbetemi të ndërgjegjshëm për atë që po ndodh kudo rreth nesh.

Spiunimi i pajisjeve shtëpiake

Pajisjet shtëpiake inteligjente janë tejet të dobishme por fakti që ato janë të lidhura me internetin i bën ato të pambrojtura dhe burime direkte nga ku një haker mund të nisë një sulm kibernetik kundër jush. Pajisjet e asistentëve virtual dëgjojnë çdo fjalë që ju i thoni, apo porosi në mënyrë që të aktivizojnë shërbimin që ju nevojitet, dhe e gjithë kjo është e jashtëzakonshme dhe e pa imagjinuar më parë.

Por bashkë me të mirat që i marrim teknologjisë, po bëhet gjithnjë e më e nevojshme të përgatitemi dhe të mësojmë se si të mbrohemi nga sulme të mundshme.

 Tufat e Dronëve

Ushtritë britanike, kineze dhe amerikane janë duke testuar prej kohësh se si mund të krijojnë tufa dronësh të ndërlidhur dhe bashkëpunues që të ndërmarrin operacione ushtarake si një ushtri reale. Të inspiruar nga tufat e insekteve që punojnë në grup, tufat e dronëve mund të revolucionarizojnë konfliktet e të ardhmes, shkruan euronews.

Ndryshimi midis ‘tufës’ së dronëve dhe mënyrës aktuale se si ushtria i përdor dronët ditët e sotme, është fakti se në momentin e zbarkimit, ‘tufa’ do të punonte si një e vetme, dhe do të organizohej në bazë të situatës së paraqitur dhe qëllimit që i është vënë paraprakisht. Të bërit e dronëve mjaftueshëm inteligjent sa ata të vetë-koordinohen dhe të marrin vendime të pavarura është diçka që nuk mund të mos ngrejë pikëpyetje.

Syzet Google

Google Glasses janë një palë syze optike të teknologjisë së lartë me kamera të instaluara në skelet që e tejkalon edhe idenë më të çmendur të Big Brother.

Deri këtu, duket thjesht si produkti më i ri i një kompanie serioze dhe gjigande e teknologjisë, por paramendoni momentin kur këto syze mund të ndizen në një autobus apo tren urban, apo në një ambient publik apo ne një takim privat. Shumë ndërmarrje në SHBA i kanë ndaluar Syzet Google në ambientet e tyre por teknologji të tilla nuk janë gjithnjë të dukshme.

Sistemi mbi të cilin ato janë ndërtuar i bën që të ndizen me një shikim të vetëm dhe të shkrepin një foto me një të shkelur të syrit. Aspak e çuditshme!