Hyundai kërkon kthimin e makinave për shkak të problemit në rripin e sigurisë
Prodhuesja jugkoreane e makinave, Hyundai është duke kërkuar kthimin mbrapsht të 239,000 makinave për të rregulluar një problem me rripat e sigurisë, që kanë potencial për të shpërthyer dhe për të plagosur pasagjerët.
Sipas Administratës amerikane për Siguri të Trafikut dhe Autostrada, dega e Hyundait në SHBA është duke kërkuar modelet Accent, Elantra dhe Elantra HEV, të prodhuara nga viti 2019 deri në këtë pjesë të vitit 2022.
Kompania ka thënë se kërkesa është bërë pasi në rast të përplasjes së makinës në anën e shoferit apo të pasagjerit të parë, rripat e sigurisë mund të shpërthejnë dhe shkaktojnë lëndime.
Tri lëndime janë raportuar si rezultat i përplasjes së këtyre makinave, dy në SHBA dhe një në Singapor, ka raportuar rrjeti amerikan, CBS News.
Të gjithë shoferët që kanë makina, të cilat dyshohet se kanë probleme, do të njoftohen deri më 15 korrik./REL