Sa i rrezikshëm është “TikTok”-u dhe pse SHBA-ja e quajti kërcënim kombëtar?
Në vitin 2018 një aplikacion i ri doli në treg me emrin "TikTok".
Fillimisht ai nuk u mor shumë seriozisht, duke u parë thjesht si një tjetër aplikacion i ndjekur nga adoleshentë që shpenzonin orë të tëra duke bërë video me koreografi të çuditshme dhe shpeshherë qesharke.
Por, ky model biznesi do t’i habiste të gjithë duke u kthyer në aplikacionin më të shkarkuar në botë në fare pak muaj.
Videot e shkurtra dhe mundësia për të kaluar nga njëra tek tjetra me një lëvizje të thjeshtë të dorës, ka mbërthyer miliona njerëz nga e gjithë bota me një fuqi që shumë sociologë e kanë quajtur "të mbinatyrshme".
Arsyeja përse ky aplikacion është kaq i parezistueshëm sidomos për moshat e reja e ka origjinën në Lindjen e Largët, pikërisht në qytetin e Pekinit në Kinë.
Kompania ByteDance u themelua nga Zhang Yiming në vitin 2016, dhe qëllimi i saj fillestar ka qenë krijimi i një platforme me lajmet kryesore të cilat do të selektoheshin dhe ofroheshin për përdoruesit sipas temave që i interesonin më shumë.
Por sigurisht, duke qenë se ky aplikacion u krijua në Kinë, censura dhe bllokimi i informacioneve që shkonin kundër agjendës së qeverisë, dominonin dhe arriheshin me anë të një bashkëpunimi të ngushtë mes Yiming dhe partisë komuniste kineze.
Në të njëjtën kohë, ky aplikacion nisi të përdorte disa nga teknologjitë më të avancuar të AI (Inteligjencës Artificiale), e cila është kthyer prej vitesh në një mani të qeverisë kineze dhe qëllimeve të saj për të arritur dominimin global.
Ky aplikacion nisi të mblidhte të dhëna sensitive për përdoruesit nga vendndodhja, kërkimet e tyre në web, mesazhet, e deri tek njohja e fytyrës e cila në kombinim me sistemin e kamerave të panumërta që janë instaluar në Kinë prej vitesh, e kanë kthyer atë në shtetin më të survejuar në botë ku për punë sekondash, edhe njerëzit që po kalojnë në rrugën më të zënë, mund të identifikohen dhe profilizohen lehtësisht.
Kjo lloj kompanie me këtë lloj aftësie dhe teknologjie, më vonë u shndërrua në atë që ne njohim sot si – Tik Tok.
Në vitin 2020, ishte pikërisht ish-presidenti amerikan Donald Trump i cili bëri thirrje për ndalimin e Tik Tok – duke e quajtur atë një kërcënim të madh ndaj sigurisë së shtetit amerikan.
Por Tik Tok nuk është i vetmi rrjet social që grumbullon të dhëna dhe informacione personale nga telefonat celularë të përdoruesve.
Të njëjtën gjë bëjnë edhe shumë rrjete të tjera përfshi Facebook – themeluesit të të cilit, Mark Zuckerberg, i është dashur të dalë shpesh para Kongresit Amerikan për t’u përballur me akuza të shumta rreth shkeljes së privatësisë.
Por problemi me Tik Tok qëndron pikërisht në origjinën e tij – Republikën Popullore të Kinës.
Së fundmi, Partia Komuniste Kineze ka miratuar Ligjin e Inteligjencës Kombëtare i cili i detyron të gjithë qytetarët dhe kompanitë kinezë që të ndajnë më qeverinë çdo lloj informacioni apo inteligjence që ka interes për vendin dhe në të njëjtën kohë të mbajnë sekret bashkëpunimet e tyre me qeverinë.
Kjo i ka kthyer të gjithë kinezët në ‘agjentë sekretë’ dhe është pikërisht ky ligj i cili detyron kompanitë si Tik Tok të ndajnë me Partinë Komuniste çdo lloj informacioni apo të dhëne personale rreth përdoruesve.
Ja pse Tik Tok nuk është aq i pafajshëm sa duket.
Dhe kjo nuk është as arsyeja e vetme pse Tik Tok po shihet gjithnjë e më shumë me skepticizëm nga shtetet perëndimore.
Suksesi i këtyre lloj aplikacionesh qëndron pikërisht në përdorimin e algoritmeve të cilat gjenerojnë – në bazë të kërkimeve të përdoruesit – video apo përmbajtje të cilat mund t’i interesojnë atyre.
Shëndeti mendor
Kjo marrëdhënie interaktive mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale ka benfitet e veta, pasi në një farë mënyrë, duke analizuar kërkimet që ne bëjmë në web, ky algoritëm arrin në përfundime rreth interesave tona dhe asaj që në na pëlqen dhe anasjelltas, ama kjo lloj forme e teknologjisë së avancuar e kombinuar me qëllimin e vetëm për të maksimizuar përfitimet mendohet se mund të ketë një efekt të parikuperueshëm për njerëzimin.
Si fillim, vëmendja dhe aftësia për t’u përqendruar tek fëmijët, të rinjtë por dhe të rriturit, është provuar të jetë ulur në mënyrë drastike vitet e fundit.
Numri i çrregullimeve të shëndetit mendor që shkaktojnë defiçenca në mësim, memorie dhe përqendrim tek fëmijët është gjithashtu në rritje.
Varësia
Hormoni i çliruar në momentin që dikush përdor rrjetet sociale është dopamina – i njëjti hormon i cili çlirohet kur ne bëjmë një arritje në jetë, korrim sukses dhe ndjejmë vetëkënaqësi.
E njëjta kënaqësi sipas psikologëve është krahasuar me përmbushjen që përdoruesit ndjejnë, në momentin që ulen për të parë me orë të tëra njërën video pas tjetrës.
Varësia ndaj rrjeteve sociale është njohur tashmë zyrtarisht si një sëmundje që po prek miliona njerëz rreth botës dhe efektet që do të ketë tek brezat fare të rinj të cilët praktikisht kanë lindur në epokën e rrjeteve sociale dhe nuk e kanë njohur kurrë një botë pa to, do të jenë shumë problematike.
Ri-programimi i trurit
Një tjetër shqetësim është fenomeni i ‘ri-programimit të trurit’ që mund të jetë duke ndodhur në masë mes njerëzve.
Rreziku parësor sigurisht është varësia dhe mungesa e vetëkontrollit që imponohet nga përdorimi i këtyre aplikacioneve. Një varësi, për të cilën ende nuk dihet nëse mund të ketë një kurë.
Nëse sjellim ndërmend shprehjen e famshme ‘forca e zakonit’ apo edhe atë që përdoret shpesh nga gurut e biznesit dhe të jetuarit shëndetshëm – që ‘njerëzit janë produkti i zakoneve të tyre’ – realiteti i këtyre aplikacioneve bëhet gjithnjë e më i zymtë.
Një nga aftësitë më të përfolura të Inteligjencës Artificiale është mundësia për të bërë parashikime në bazë të llogaritjeve dhe veprimeve të përsëritura.
Dhe duke e ditur mirë çfarë ne duam dhe çfarë nuk duam, çfarë na pëlqen dhe çfarë nuk na pëlqen, këto algoritme kanë fuqinë të na njohin mbase më mirë nga çnjohim veten dhe të na mbajnë të mbërthyer pas ofertave të panumërta në ekran.
Në këto raste, të vjen ndërmend shprehja e famshme e skulptorit dhe artistit amerikan Richard Serra, ‘Nëse nuk po paguan, ti je produkti’.
Mbase është ende herët për të menduar për efektet që këto aplikacione do të kenë në të ardhmen dhe është e vërtetë që efektet pozitive që ato kanë sjellë janë të shumta.
Por duke marrë parasysh, problemet me privatësinë, shitjen e mundshëm të të dhënave tona personale dhe varësisë që shkaktohet prej tyre, mbase është koha që të gjithë të vendosim të kemi më shumë vetëkontroll dhe të aplikojmë sado pak vullnet të lirë, duke e ri-programuar trurin tonë në mënyrë që të jemi ne ata që i përdorim dhe i kemi nën kontroll këto aplikacione, jo e kundërta. /euronews