BE: Twitter-i në pronësi të Muskut duhet t’i respektojë ligjet tona
Bashkimi Evropian paralajmëroi të martën miliarderin Elon Musk se platforma e sapoblerë në internet, Twitter, do të duhet të veprojë në pajtim me ligjet e reja të Evropës, që frenojnë fuqinë e teknologjisë së madhe.
"Qoftë për ngacmimet në internet, shitjen e produkteve të falsifikuara... pornografinë e fëmijëve, apo thirrjet për akte terrorizmi... Twitter do të duhet të përshtatet me rregulloret tona evropiane që nuk ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara", tha komisionari i BE-së, Thierry Breton, raporton agjencia AFP.
Miliarderi Elon Musk ka arritur marrëveshje për të blerë rrjetin social, Twitter, për gati 44 miliardë dollarë, ka njoftuar kompania më 25 prill, më pak se dy javë pasi Musk bëri të ditur se kishte blerë 9 për qind të aksioneve të saj.
Musk, i cili e përshkruan veten si përkrahës të lirisë së shprehjes, ka thënë se dëshiron ta blejë platformën, sepse beson që nuk po e shfrytëzon potencialin që ka për liri të shprehjes.
Gjatë blerjes së Twitterit, Musk është zotuar se do të mbajë një qëndrim të fortë ndaj fjalës së lirë në platformë.
Nëse Musk zbaton zotimin e tij, ai do të përballet shpejt me Aktin e Shërbimeve Digjitale, një pjesë kryesore e legjislacionit të BE-së që parasheh pasoja më të ashpra kur platformat strehojnë përmbajtje të ndaluara.
"Pavarësisht nga aksionarët, Twitter tani e tutje do të duhet të përshtatet plotësisht me rregulloret evropiane", tha Breton, i cili merret me portofolin e politikave industriale të BE-së dhe ishte një ndër mbështetësit kryesorë të ligjeve të reja.
“Ligji tani do të jetë shumë i qartë, shumë më i qartë në Evropë sesa në Shtetet e Bashkuara; me më shumë rregulla në Evropë sesa në Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
I pyetur për një rikthim të mundshëm të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në Twitter, Breton tha se Akti i Shërbimeve Digjitale gjithashtu rregullon vendimet e dëbimit duke vendosur kushte dhe mundësi për apelim.
Trump ishte një përdorues i madh i Twitter-it, por u ndalua mes frikës se zemërimi i tij për humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 do të nxiste dhunë të mëtejshme pasi mbështetësit e tij sulmuan Kongresin e SHBA-së.
Thierry Breton, komisionar i BE-së.
"Ne do të kemi rregulla shumë të qarta, shumë të sakta, shumë demokratike, shumë të lexueshme për të vendosur mbi ndalimet", theksoi Breton dhe shtoi:
"Me ne, dëbimi padyshim do të jetë i mundur, në disa raste të nevojshme, por nën kontrollin demokratik".
Ligjvënësit janë duke punuar në finalizimin e Aktit të Shërbimeve Digjitale, i cili do të vendosë kufij për përmbajtjen si dhe në Aktin e Tregjeve Digjitale, që do të kufizojë mënyrën se si bëjnë biznes gjigantët e teknologjisë.
Të dyja ligjet, pasi të ratifikohen zyrtarisht nga vendet anëtare të bllokut dhe Parlamenti Evropian, pritet të hyjnë në fuqi në muajt e ardhshëm.