Aksionet e Twitter rriten me 25% pasi Elon Musk bëhet aksioneri kryesor
CEO i Tesla-s, Elon Musk, ka blerë një pjesë të madhe të aksioneve në Twitter, duke e bërë atë aksioner kryesor. Si rrjedhojë aksionet e Twitter u rritën me 25 për qind.
Bazuar në çmimin aktual aksionet e Musk kapin vlerën e rreth 2.89 miliardë dollarë (2.6 miliardë euro).
Aksionet e Musk janë katër herë më shumë se ato të themeluesit të Twitter-it dhe ish-CEO-s së kompanisë, Jack Dorsey, i cili mban 2.25 për qind të aksioneve në platformën e mediave sociale.
Vetë një përdorues i platformës, Musk ka ngritur pyetje në lidhje me aftësinë për të komunikuar lirshëm në Twitter, duke postuar në muajin e kaluar për fjalën e lirë.
“Fjala e lirë është thelbësore për një demokraci funksionale. A besoni se Twitter i përmbahet me rigorozitet këtij parimi?” shkroi ai.
Në një postim të veçantë në Twitter në mars, Musk tha se po “mendonte seriozisht” krijimin e një platforme të re të mediave sociale./euronews.al