UNCEF-i: Teknologjia po prodhon analfabetë

UNCEF-i: Teknologjia po prodhon analfabetë

Auto&Tech February 15, 2022 - 18:13

Një hulumtim që ka bërë Enti për Statistikë në Maqedoninë e Veriut në bashkëpunim me UNICEF-in, ka nxjerrë të dhëna shqetësuese që tregojnë se as gjysma e nxënësve në klasën e dytë nuk kanë aftësi bazike për shkrim-lexim.

Sipas studimit që përfshin vitin 2018 dhe 2019, vetëm afër 45 për qind e fëmijëve të klasës së dytë mund të lexojnë rrjedhshëm 90 për qind të fjalëve në tregimin e dhënë, mund t‘iu përgjigjen tri pyetjeve thelbësore dhe kuptimeve të nxjerra.

Akoma më shqetësuese është situata në matematikë.

Vetëm 26 për qind e fëmijëve në klasën e dytë dhe të tretë kanë aftësi themelore me numra, pra të lexojnë dhe dallojnë numrat, të mbledhin dhe të plotësojnë skema.

Si shkak për këto rezultate shihet niveli i ulët i ndjekjes së mësimit parashkollor, masivitetin e përdorimit të rrjeteve sociale, mungesën e trajnimeve për zhvillim të mësuesve, kohën e paktë që fëmijët kalojnë për të mësuar në shkollë, por edhe me prindërit.

 “Gjetjet që u prezantuan së fundmi mund të them se ishin mjaftë shokuese për shkak të nivelit të ulët të shkrim-leximit dhe numërimit. Rezultatet e testit PISA shfaqin disa përmirësime në vitet e fundit por gjithsesi të dhënat për Maqedoninë e Veriut janë dukshëm më të ulëta se sa të shteteve të tjera të OECD”, tha Artur Ajvazov, zëvendës përfaqësues i UNICEF-it në Maqedoni.

Ngecja te fëmijët

Mësuesja e shkollës fillore Burbuqe Qerimi thotë se ka disa faktorë që kanë sjellë gjendjen e arsimit në këtë nivel, por sidomos ndryshimi i sistemeve arsimore nga viti në vit pasi fëmijët janë bërë konfuz dhe më pak të koncentruar.

“Fëmijët kanë ngecje në lexim dhe kjo është shqetësuese për gjeneratat e reja. Kjo ngecje nuk është paraqitur tani por vit pas viti dhe nuk po mundemi të gjejmë se cili është faktori kryesor, ose nuk mund të themi se ka vetëm një faktor që shkakton ngecjen e leximit tek fëmijët. Si shkak është edhe zhvillimi i vazhdueshëm i teknologjisë që po shkakton varfërim në mësim tek nxënësit dhe kjo gradualisht po paraqitet siç ndryshojnë sistemet në mësim”, shprehet mësuesja.

Zëvendësimi i librave në letër me ato elektronik që ka nisur zbatimin së fundmi nga klasa e katërt, po ashtu ka bërë që shumë fëmijë të ngecin me mësime për shkak të pamundësisë për të blerë një pajisje elektronike.

“Është shumë rëndë. Mua më pëlqen teknika me libra. Më qartë i mësojmë mësimet. Me laptopë dhe tabletë dëmtohen edhe sytë…Me laptopë nuk i kuptojmë mësimet aq mirë, ndërsa në libra edhe mund të shënojmë , ti zgjerojmë mësimet, ndërsa me laptopë është më rëndë sepse të gjithë nuk kanë para për të blerë një”, thotë Rina Tusha, nxënëse e klasës së katërt.

“Unë lutem që ti kemi përsëri librat sepse nëpërmjet ekranit neve na dëmtohen edhe sytë dhe kemi kokëdhembje kur shkojmë në shtëpi. Me libra mund të zgjerojmë mësimet, ti sqarojmë me mësuesen. Për neve fëmijët është shumë e zorshme që të përdorim laptopë pasi tërë kohën duhet të mësohemi që ti përdorim laptopët ose ipadët dhe kjo është e vështirë për neve”, thotë Hafsa Azemi, nxënëse e klasës së katërt

Nivelin e ulët të dijes te fëmijët e fillores, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri e quan si diçka të kaluar, por premton se raportin e UNICEF-it do të jetë një indicie për krijimin e politikave arsimore në të ardhmen.

“Bëhet fjalë për analizë të vitit 2018 dhe 2019 por megjithatë kam dhënë direktiva që të bëhet analizë e mirë e atyre gjetjeve që të gjithë ne që jemi pjesë e sektorit të arsimit ta kemi si udhërrëfyes për rezultate më të mira. Ne vetëm mund të japim kontribut për përmirësim të mëtejmë. Atë periudhë as nuk kemi patur mësim online prandaj për mua me rëndësi është se si do të dalë analiza e vitit 2022”, thotë Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit në RMV.

Viti akademik 2018 – 2019

45 % e fëmijëve të klasës së dytë mund të lexojnë rrjedhshëm 90 përqind të fjalëve në tregimin e dhënë, mund tju përgjigjen tre pyetjeve thelbësore dhe kuptimeve të nxjerra.

26 % e fëmijëve në klasën e dytë dhe të tretë kanë aftësi themelore me numra, të lexojnë dhe dallojnë numrat, të mbledhin dhe të plotësojnë skema./euronews.al