Facebook-u mbyll llogari dezinformuese të lidhura me Rusinë
Kompania Facebook njoftoi më 10 gusht se ka mbyllur një rrjet prej dhjetëra profilesh në Facebook dhe Instagram nga Rusia në lidhje me dezinfomimin për vaksinat kundër COVID-19.
Zyrtarët e Facebook-ut thanë se ky rrjet vepronte si një “lavatriçe e dezinformimit”
Llogaritë ishin të lidhura me Fazze, një firmë reklamimi dhe marketingu e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar. Facebook tha se puna e Fazze-s ishte bërë kryesisht nga Rusia në emër të një klienti të panjohur.
Rrjeti social tha se mbyllja e profileve është bërë në bazë të politikave të kompanisë kundër ndërhyrjes së huaj.
"Ne hoqëm 65 llogari në Facebook dhe 243 llogari në Instagram nga Rusia të lidhura me Fazze", tha kompania.
"Fazze tani është e ndaluar nga platforma jonë", thuhej në njoftim.
Rrjeti publikonte mesazhet e dezinformimit për vaksinat kundër COVID-19, kryesisht në audiencën në Indi, Amerikën Latine dhe, në një masë më të vogël, Shtetet e Bashkuara.
Facebook dhe media të tjera sociale janë përballur me kritika të ashpra, përfshirë edhe nga presidenti amerikan Joe Biden, për përhapjen e gënjeshtrave për vaksinimin, të cilat po pengojnë përpjekjet për të luftuar pandeminë e COVID-19 në të gjithë botën.
Një ndër publikimet që kishin bërë këto llogari pretendonte se një vaksinë perëndimore do t'i shndërronte njerëzit në majmunë.
Rusia ka bërë biznes jasht vendit në mënyrë aktive me vaksinën e saj kundër koronavirusit, dhe analistët e shohin këtë si një përpjekje për përfitime gjeopolitike. /REL