Avantazhet dhe disavantazhet e përdorimit të Bitcoinit

Avantazhet dhe disavantazhet e përdorimit të Bitcoinit

Auto&Tech March 23, 2021 - 23:18

Bitcoin është kritikuar për përdorimin në transaksione të paligjshme. Shumë syresh, edhe mes akademikëve dhe biznesmenëve të mëdhenj të globit e kanë quajtur atë si një flluskë spekulative.

Edhe në Shqipëri paradigma e sistemit financiar e bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë i ka ndarë njerëzit në dy kahe ekstreme; në përqafues të saj dhe në skeptikë.

“Pjesa më e madhe e personave që merren me teknologjinë e informacionit janë pro kësaj monedhe, unë jam kundër. Duke u bazuar në atë që thonë baballarët e ekonomisë. Uorren Bafet thotë që investimi në kriptomonedha i ngjan të luajturit bixhoz. Sepse kemi një asset që nuk prodhon. Filozofia e kriptomonedhave, e Bitcoin është bazuar mbi besimin. Duke lexuar dhe menduar që vlera e saj do të rritet, unë nxitem që të blej, në momentin që unë blej, vlera rritet përsëri.

Duke parë që vlera që po rritet, njerëzit do të blejnë sërish. Unë që pashë që vlera u rrit dhe vazhdoj të blej. Kjo do të arrij në një pikë që do të jetë një bubble që do të shpërthejë. Për mendimin tim, mund të kemi një Sude apo Xhaferr të dytë, jo në Shqipëri tashmë, por në nivel global. Para do kohësh Bill Gates u pyet për kriptomonedhat dhe për Bitcoin; përgjigja e tij ishte shumë e thjeshtë ; nëse keni aq lekë sa ka Elon Musk, mund të investoni. Nëse keni më pak se ai, ju lutem qëndroni larg”, u shpreh Besmir Semanaj, Inxhinier i Sigurisë së Informacionit. Kurse eksperti i fushës së ekonomisë Selami Xhepa mendon se duke qenë një realitet, ky treg duhet rregulluar.

“Këtu kemi dy probleme; Problemi i parë është njohja e monedhës, pra ligji shqiptar, por edhe i vendeve të tjera të njohin ligjërisht tipin e ri të monedhës, flasim për një system të ri monetary, jo thjesht një monedhë. Dhe së dyti rregullimin e tregtimit të këtyre monedhave. Siç rregullohet tregtmi i produkteve në segmente të tjera të tregjeve financiare”, u shpreh Selami Xhepa, Ekspert Ekonomie UET.

“Teknologjia blockchain ka avantazhe shumë të mëdha sa i përket industrisë së mjekësisë, hipotekave dhe gjithë pjesës së të dhënave në systemin arsimor, por me disa pikëpyetje kur bëhet fjalë për përdorimin e monedhave virtuale për shkaqe dhe njohje të rreziqeve që kanë të bëjnë kresisht me pastrimin e parave, por edhe me luhatshërinë shumë të madhe që kanë këto monedha, me pasigurinë financiare që ofrojnë investitorë të pastërvitur, pra që nuk kanë informacionin e duhur”, u shpreh Pajtim Melani, Ekspert ekonomie.

Sipërmarrësi Italian Gabriele Andreoli, i cili me kompaninë e tij është i pozicionuar në Amerikë dhe Europë, e tashmë edhe në Shqipëri është i dashuruar pas sistemit të ri financiar. Monedha e tij e preferuar nuk është bitcoin, por Etherium, pasi përmes saj mund të prodhosh edhe monedha të tjera. Ai e konsideron këtë sistem të ri financiar një mrekulli, por këshillon kujdes përsa kohë interneti nuk është i sigurt.

Sepse për ata që nuk e njohin, në momentin që do të shkëmbejnë bitcoin sërish me paranë fizike, mund të ngarkohen me taksa të tepërta.

“Me kriptomonedhat kjo është e bukura, mund të lëvizësh asetet kudo. Dhe tani po zhvillohet me blockchain, me bitcoin po zhvillohet diçka, që ti mund të lëvizësh jo vetëm monedha virtuale, por gjithashtu asete. Mendoj që është e mrekullueshme. Është një mënyrë fantastike. Gjithmonë e më shumë njerëz janë të interesuar të kuptojnë se çfarë është kjo. Ka gjëra të mira dhe të këqija.Ka njerëz që thonë kam 10 mijë euro. Më lër ta provoj. Ata nuk e kuptojnë që ka rrezik jo vetëm për shkak të tregut, por është e rrezikshme sepse ju përdorni një instrument si kompjuteri që nuk është 100% i sigurt” u shpreh Gabriele Andreoli, Sipërmarrës. /tch