Del në ankand postimi i parë në Twitter, deri tani janë ofruar 2,5 milionë dollarë
CEO i Twitter, Jack Dorsey, ka nxjerrë në shitje postimin e parë të publikuar në Twitter, në formën e një vepre digjitale për koleksionistët.
Dorsey shpërndau të premten e kaluar një link që të çonte në një platformë digjitale të quajtur “Gjëra të vlefshme”, e cila lejon shit-blerjen e postimeve në Tëitter, me autografin e krijuesit. Postimi i parë i Dorsey në Twitter është bërë në vitin 2006, ku ai thotë “duke ndërtuar Twitter-in tim”.
Deri tani, oferta më e lartë për këtë postim është 2,5 milionë dollarë, bërë nga Sina Estavi, CEO e kompanisë Bridge Oracle.
Suveniret digjitale janë shtuar shumë në muajt e fundit, si një formë popullore teknologjike për të shitur vepra arti në formë digjitale. Klienti në fakt blen një “medalje” që verifikon autenticitetin e pronësisë. Ai është i koduar me firmën e autorit, njëlloj si kodimet qe bëjnë të mundur kriptomonedhat.
Vepra të tjera digjitale që po shiten në këtë mënyrë janë videoklipe me performancat e lojtarëve më të mëdhenj të NBA, si LeBron James. /A2
just setting up my twttr
— jack (@jack) March 21, 2006