“Facebook”-u bllokon përdoruesit australianë të shohin ose shpërndajnë lajme
Facebook-u njoftoi se do të bllokojë përdoruesit australianë nga shpërndarja apo shikimi i përmbajtjes së lajmeve, shkaku i një mosmarrëveshjeje rreth një ligji të propozuar.
Australia dëshiron që gjigandët e teknologjisë si Facebook dhe Google të paguajnë për përmbajtjen e ripostuar nga mediat. Gjiganti i mediave sociale tha se ligji i propozuar "keqkupton thelbësisht marrëdhëniet midis platformës sonë dhe botuesve".
Australia më parë i quajti kërcënimet e Facebook-ut për një ndalim të tillë "të keqkuptuar", shkruan ”BBC”, transmeton “Zeri.info”.
Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorëve (ACCC) thotë se hartoi rregullat e reja për të "barazuar fushën e lojës" midis gjigandëve të teknologjisë dhe botuesve. Qeveria Australiane thotë se në javët e ardhshme do ta hedhë legjislacionin në votim.
Facebook-u njoftoi politikën e tij të re në një postim në blog të mërkurën, duke thënë se legjislacioni i propozuar e kishte lënë atë "të përballet me një zgjedhje të rëndë: përpjekjen për t'u pajtuar me një ligj që injoron realitetet e kësaj marrëdhënieje, apo të ndalojmë përmbajtjen e lajmeve në shërbimet tona në Australi".
"Pa dashje, ne po zgjedhim këtë të fundit", tha ai.
Facebook-u, sipas rregullave të reja, tha që përdoruesit australianë nuk do të jenë në gjendje të lexojnë ose shpërndajnë përmbajtje të lajmeve në platformë, ndërsa publikuesit australianë të lajmeve do të kufizohen nga shpërndarja ose postimet e përmbajtjeve në faqet e Facebook.
"Globalisht, postimi dhe shpërndarja e linqeve të lajmeve nga publikuesit australiant është gjithashtu i kufizuar". Media australiane raportoi se ndalimi duket se tashmë ka hyrë në fuqi, me përdoruesit që raportojnë se nuk janë në gjendje të shohin artikuj të lajmeve në faqet e tyre në Facebook.
Projekti Amerikan i Lirive Ekonomike, një grup anti-monopoli me qendër në Washington, kritikoi masën. /Zëri