Koreja e Veriut akuzohet për sulm kibernetik ndaj “Pfizer”-it për të marrë të dhënat e vaksinës

Koreja e Veriut akuzohet për sulm kibernetik ndaj “Pfizer”-it për të marrë të dhënat e vaksinës

Auto&Tech February 16, 2021 - 18:46

Sipas zyrtarëve të inteligjencës së Koresë së Jugut, Koreja e Veriut u përpoq të vidhte teknologjinë e vaksinave për COVID-19 nga kompania farmaceutike e SHBA-së, “Pfizer”.

Tani për tani është e paqartë se çfarë të dhënash janë vjedhur, nëse janë vjedhur, raporton “BBC”, transmeton “Zeri.info”.

Agjencia Kombëtare e Inteligjencës e Koresë së Jugut informoi privatisht ligjvënësit rreth sulmit të pretenduar, njoftoi agjencia lokale e lajmeve “Yonhap”.

BBC i ka kërkuar “Pfizer”- it një koment, por ende nuk ka marrë përgjigje. Koreja e Veriut ende nuk ka raportuar një rast të vetëm të koronavirusit. Megjithatë, vendi do të marrë dy milionë doza të vaksinës “AstraZeneca-Oxford” në javët e ardhshme.

Në nëntorin e vitit të kaluar, kompania “Microsoft” tha se së paku nëntë organizata shëndetësore, përfshirë “Pfizer”-in, kanë qenë cak i organizatave të mbështetura nga shteti në Korenë e Veriut dhe në Rusi. Ajo tha se grupe nga Koreja Veriore, me emrat “Zinc” dhe “Cerium”, dhe një grup rus, me nofkën “Fancy Bear”, ishin përgjegjës.

Kremlini ka mohuar se ka pasur në cak hulumtimet për vaksina të vendeve tjera. Derisa shumë nga tentimet dashakeqe dështuan, “Microsoft”-i paralajmëroi atë kohë se disa kishin qenë të suksesshme.

Që nga fillimi i pandemisë, shtete të ndryshme kishin angazhuar hakerët e tyre si pjesë e krizës së koronavirusit. Disa nga ta përdoreshin për mbledhje të inteligjencës e disa për vjedhje të pronës intelektuale për të qenë në avantazh.

Koreja Veriore gjithmonë ka pasur gjasa që të jetë një nga vendet më aktive në këtë fushë. Është një shoqëri e mbyllur, por me njësi shumë të avancuara kibernetike, e cila ka dashur t’i targetojë vendet jo vetëm për sekrete, por ndoshta vetëm për para. /Zëri