Bill Gates po investon miliarda dollarë kundër ndryshimeve klimatike
Sipas themeluesit të “Microsoftit”, Inovacioni është i nevojshëm për të shmangur një katastrofë klimatike.
Gates kësaj radhe dëshiron të investojë 2 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, në projekte "start-up" për të shmangur ndryshimin e klimës, raportoi “dpa”, transmeton “Zeri.info”.
Gates në një deklaratë të botuar të hënën në të përditshmen gjermane të biznesit "Handelsblatt", tha se Inovacioni është i nevojshëm për të shmangur një katastrofë klimatike. Kjo nuk do të ishte e pamundur, por do të ishte shumë e vështirë, shtoi ai.
Ai gjithashtu bëri thirrje për qeveritë që të katërfishojnë investimet në kërkimin e energjisë së pastër dhe inovacione të tjera klimatike në të gjithë botën gjatë dekadës tjetër. Sipërmarrësi dhe filantropi amerikan vlerëson se kërkimit i duhen të paktën 110 miliardë dollarë në vit.
Në librin e tij të ri, "How to Avoid a Climate Disaster”, Gates bën thirrje që emetimet e CO2 të eliminohen plotësisht deri në vitin 2050 për të shmangur dëmtime të mëdha mjedisore dhe ekonomike. Gates tha se për të arritur këtë, industria duhet të ndryshojë me një ritëm të paparë.
Për më tepër, Gates beson se taksat e CO2 dhe tregtimi i emetimeve të gazrave serrë janë të domosdoshme, dhe energjitë alternative si dielli dhe era janë të pazëvendësueshme. /Zëri