Sonda arabe hyn në orbitën e Marsit

Sonda arabe hyn në orbitën e Marsit

Auto&Tech February 09, 2021 - 18:42

Sonda e Emirateve të Bashkuara Arabe hyri në orbitën e Marsit sot, një triumf ky për misionin e parë ndërplanetar arab.

Kontrollerët tokësorë në qendrën hapësinore të EBA-së në Dubai u ngritën në këmbë dhe duartrokitën kur erdhi lajmi se sonda pa ekuipazh, e quajtur “Amal” (që në arabisht do të thotë Shpresë), kishte arritur cakun e udhëtimit të saj shtatë-mujor, 300-milionë milje dhe ka nisur qarkullimin përreth planetit të kuq, ku do të mbledhë të dhëna të detajuara në atmosferën e Marsit.

“Amal” u nis në korrik të vitit 2020 nga Japonia pas dy vonesave për shkak të kushteve të këqija të motit. Qëllimi i sondës është të mbledhë të dhëna nga atmosfera marsiane gjatë çdo sezoni, raportoi “AP”, transmeton “Zeri.info”.

Sonda kineze është gjithashtu afër Marsit dhe pritet të arrijë në Planetin e Kuq nesër. Sonda do të orbitojë Marsin derisa roveri të ndahet, dhe të përpiqet të zbresë në sipërfaqen e saj në maj, për hulumtime.

Roveri amerikan “Perseverance” është planifikuar gjithashtu të mbërrijë javën e ardhshme dhe të ulet në Mars më 18 shkurt. Kjo do të jetë faza e parë në një projekt dhjetëvjeçar amerikano-evropian të mbledhjes së mostrave të shkëmbinjve për të shqyrtuar nëse ato kanë prova të jetës mikrobike.

Rreth 60 për qind e misioneve në Mars ishin të pasuksesshme, duke dëshmuar për kompleksitetin e udhëtimeve ndërplanetare dhe vështirësinë e zbritjes nëpër atmosferën e hollë të Marsit. /Zëri