Ndryshimet e privatësisë së “Whatsapp”-it kthejnë aplikacionin “Signal” në më të shkarkuarin në botë
Pas njoftimit të WhatsApp, një ndër aplikacioneve më të përdorura në botë për të shkëmbyer mesazhe, se do të ndryshonte politikat e privatësisë, shumë përdorues u drejtuan nga aplikacione të tjera komunikimi si Signal dhe Telegram.
Menjëherë pas këtij njoftimi, aplikacioni Signal regjistroi 7.5 milionë shkarkime, 43 herë më shumë se një javë më herët, ndërsa aplikacioni Telegram u raportua për 5.6 milionë shkarkime.
A duhet të shqetësohemi për privatësinë?
Në fillim të janarit WhatsApp njoftoi se aplikacioni do të ndante të dhëna të përdoruesve, përfshirë vendndodhjen dhe numrin e telefonit, me platformat Facebook, Instagram dhe Messenger.
Që nga viti 2016, WhatsApp ka ndarë të dhëna të caktuara me Facebook, por më parë përdoruesit mund të zgjidhnin të mos e pranonin këtë opsion.
Megjithatë duke filluar nga 8 shkurti, të gjithë përdoruesit duhet të pranojnë politikat e reja të privatësisë në mënyrë që të mund ta përdorin aplikacionin.
Në një deklaratë pasuese WhatsApp tha se ky përditësim nuk ndikon në privatësinë e mesazheve dërguar miqve dhe familjes, por do të përfshijë ndryshime “vetëm në mesazhet drejtuar një biznesi në platformë”.
“Të dhënat e ndara me Facebook përdoren për të ndihmuar në përmirësimin e platformës, promovimin e sigurisë dhe përsosjen e shërbimeve tona duke bërë sugjerime apo personalizime,” shkruhej në deklaratën e tyre.
Aplikacioni Signal
Pas njoftimit të WhatsApp, themeluesi i Tesla, dhe njeriu më i pasur në botë Elon Musk, u bëri thirrje ndjekësve të tij në Twitter “të përdornin Signal”.
Signal, për herë të parë, u bë aplikacioni më i shkarkuar në App Store dhe Google Play, duke e mbajtur këtë rekord për një javë. Ai është një aplikacion komunikimi, i disponueshëm për celularë dhe kompjuter.
Themeluar në vitin 2014 nga një inxhinier softueri enigmatik, Signal është zhvilluar nga një organizatë jofitimprurëse, që do të thotë se nuk ka gjasa të blihet nga një kompani më e madhe teknologjie dhe ndryshe nga këto kompani gjigande, Signal nuk përdor reklama dhe nuk shet të dhënat e përdoruesve. Më së shumti financohet nga donacione, duke përfshirë një hua prej 50 milionë dollarësh nga bashkëthemeluesi i saj, Brian Acton, i cili gjithashtu ka krijuar WhatsApp.
Të dy platformat, Signal dhe WhatsApp kanë disa të përbashkëta: Përdoruesit mund të dërgojnë mesazhe të koduara, të cilat fshihen në rast se dikush përgjon një bisedë.
Të dy aplikacionet i lejojnë përdoruesit të shkëmbejnë mesazhe falas nëpërmjet Wi-Fi apo internetit në celular./EURONEWS