Snapchat tani do t'i paguajë njerëzit për fotot që postojnë
Snapchati është gati t'ju paguajë vetëm që të postoni! Së fundmi, Snapchat ka publikuar një opsion të ri të quajtur "Spotlight", i cili do të nxjerrë në pah postimet e bëra virale. Për t'i motivuar të tilla postime, Snapchat do të paguajë para për njerëzit që do t'i postojnë në Spotlight dhe pritet që vetëm për këtë të shpenzojë rreth 1 milion dollarë çdo ditë.
Opsioni i shtuar është një ndryshim i madh për Snap-in sepse më në fund u prezantua një mënyrë që lejon të shihni publikime cilësore nga të huajt.
Krahasuar me platformat e tjera gjigante, Snapchati nuk ia jep mundësinë blogerëve apo faqeve të tjera kreative të zbulohen, pasi nuk kanë një opsion që të lejon eksplorimin, siç është në Instagram, Tik Tok apo në rekomandimet e YouTube-it. Që prej 2012-it, Snapchat është përdorur në masë kryesisht për mesazhe dhe foto "të shpejta".
Qëllimi i Snap-it, përmes opsionit të ri është ta bëjë Spotlight një vend ku edhe njerëzit e thjeshtë (jo vetëm influencer-at apo VIP-at) të mund të bëjnë para. E gjitha do të funksionojë në bazë të një algoritmi, që tregon se sa herë postimi i dikujt është dërguar tek miqtë, sa është pëlqyer apo shmangur. Në bazë të këtyre të dhënave, do të zgjidhet cili nga postimet do të qëndrojë në krye të faqes.
Edhe pagesa, do të bëhet duke u nisur nga fakti se sa viral është postimi. Eshtë ende e paqartë se si do të paguhen njerëzit çdo ditë nga kjo, por thuhet se minimumi ata do të përfitojnë rreth 250 dollarë. Pagesat do të jenë për përdoruesit nga 16 vjeç e lart dhe fillimisht vetëm për ata që jetojnë në SHBA./Anabel