“Facebook”-u mbyll llogaritë e drejtuara nga Kina
150 llogari të rreme që postonin në lidhje me zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, janë mbyllur të martën nga "Facebook"-u.
Nathaniel Gleicher, shefi i politikës së sigurisë në Facebook, në një shkrim të bërë në faqen e kompanisë, tha se llogaritë postonin përmbajtje si në mbështetje ashtu edhe kundër kandidatëve për president në Amerikë.
Facebook tha se llogaritë drejtoheshin nga provinca Fujian e Kinës, por nuk përcaktoi nëse ishin të lidhura drejtëpërdrejtë me qeverinë kineze.
Kompania amerikane analitike e mediave sociale e porositur nga Facebook, Graphika, tha se llogaritë e mbyllura kishin postuar edhe në lidhje me çështje tjera politike në vitet e mëparshme, rreth Taivanit, Filipineve dhe ndikimit të Kinës në atë regjion. Ndërkohë që postimet e fundit, flisnin për interesat e Pekinit në Detin e Kinës Jugore.
Gleicher më pas theksoi se shumica e aktivitetit të këtyre llogarive ishin të fokusuara në Azinë Juglindore dhe një sasi e vogël e postimeve ishin të përqendruara në zgjedhjet e vitit 2020, në Amerikë.
“Megjithatë, ne menduam se ishte e rëndësishme që njerëzit të ishin të vetëdijshëm për atë që po shohim, marrë parasysh natyrën e llogarive”, tha, ai.
Facebook njoftoi se edhe në fillim të këtij muaji, kishte marrë informacion nga FBI që e çoi atë në zbulimin e një grupi të rremë që postonte rreth zgjedhjeve të vitit 2020. Pas hetimeve, ishte mësuar që njerëzit të cilët po postonin lajme fyese dhe provokuese rreth zgjedhjeve në SHBA, i përkisnin një grupi rus.