Faqja e internetit që gjurmon përhapjen e COVID-19 në botë
17 vjeçari Avi Schiffmann ka ndërtuar një nga faqet më popullore në internet për gjurmimin e koronavirusit. Faqja e tij në internet ka rreth 30 milion vizitorë në ditë. Shumë njerëz e cilësojnë atë si gjeni. Atij i janë ofruar vende pune me paga të larta dhe kontrata. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anush Avetisyan njofton se ai është fitues i çmimit “Webby” si Njeriu i Vitit. Por pavarësisht kësaj, adoleshenti thotë se ai do të përqendrohet në atë që ai mendon se është më e rëndësishme.
“Ndërtova diçka duke ndjekur video në YouTube dhe duke bërë pyetje. Nuk është një program jashtëzakonisht i komplikuar. Ajo që është më e rëndësishmja është që unë ndërmora nismën për ta ndërtuar këtë faqe kur ende nuk flitej për këtë lloj projekti.”
Me 29 dhjetor të vitit 2019, ky nxënës i shkollës së mesme publikoi në internet një faqe elektronike të quajtur nCoV2019.live që gjurmon përhapjen e koronavirusit në botë.
Dizanjimi i faqeve të internetit nuk është diçka e re për 17 vjeçarin. Kur filloi gjurmimin për koronavirusin ai nuk e dinte se do të bëhej pandemi, dhe sistemi i tij në një projekt të njohur universal.
“Doja shifrat më të sakta dhe shikoja faqet qeveritare lokale të qeverisë kineze që ishte shumë e vështirë të lexoheshin. Fillova të punoja në gjërat kryesore që ishin tërheqëse për shikuesit, kryesisht për pajisjet mobile që zakonisht marrin të dhënat e fundit. Të gjitha në një vend për të gjitha shtetet. Që nga ajo kohë kam patur mbi 700 milion vizitorë nga çdo vend i botës, çdo ditë.”
Në fillim të marsit, thotë ai, u ndjeva i frikësuar kur dolën njoftimet për rastet e para në shtetin e tij, në Uashington. Por, meqënëse po gjurmonte virusin, ai ishte i përgatitur me maskat e modelit N95, që kishte blerë para se të përhapej virusi.
Me 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi virusin si pandemi. Shtetet filluan të zbatojnë masa të rrepta karantine, ndërsa shumë filluan të kërkojnë në internet fjalën “pandemi”. Faqja e tij e internetit ishte gati pas shumë vitesh eksperiencë me kompjuterat.
“Fillova të mësohesha me kompjuterat kur isha rreth 7 vjeç. Babai im ishte i dhënë pas kompjuterave dhe kishim plot në shtëpi.”
Ai ka krijuar mbi 30 faqe interneti gjatë dhjetë viteve. Por ai ndihet krenar me sistemin për gjurmimin e virusit. Ai thotë se të dhënat janë po aq të sakta sa informacionet e publikuara nga qeveritë.
Për momentin ai nuk po pranon ofertat për punë.
“Nuk jam i interesuar për një karrierë si programues tetë orë në ditë. Kjo do të hiqte zbavitjen dhe motivimin që kam për programimin. Dua të ndërtoj diçka që u shërben njerëzve dhe nuk dua të jem një emër në listën e kontribuesve.”
Këtë vit ai fitoi çmimin “Webby” si Njeriu i Vitit. Dr. Anthony Fauci, Drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, i dhuroi atij çmimin për “përsosmëri në internet”./VOA