Facebook ndihmon FBI-në në kapjen e një personi të rrezikshëm

Facebook ndihmon FBI-në në kapjen e një personi të rrezikshëm

Auto&Tech June 11, 2020 - 19:22

Gjigandi i mediave sociale, “Facebook”, ndihmoi FBI-në për të kapur një person nga Kalifornia, i cili ngacmonte vazhdimisht vajzat në këtë rrjet social.

Facebook-u bën të ditur se e ka gjurmuar Buster Hernandez, për vite me rradhë. Ai duke përdorur sistemin e sigurt të operimit “Tails”, ishte në gjendje të fshehë adresën e tij të vërtetë IP-së dhe vazhdoi të kontaktojë dhe ngacmojë dhjetëra vajza në Facebook.

Ekipi i sigurisë i Facebook-ut vendosi të punojë me një firmë, për të krijuar një mjet hakimi, që mund të zbulonte adresën e vërtetë të IP-së së këtij personi.

FBI-ja përdori këtë mjet për të dërguar një video te llogaria e Hernandez, përmes së cilës ata arritën të mblidhnin prova që çuan në arrestimin dhe dënimin e tij. Hernandez u shpall fajtor për 41 akuza, duke përfshirë zhvillimin e videove pornografike për fëmijët, kërcënimet për rrëmbime dhe vrasje.

Facebook-u konfirmoi se ka punuar me ekspertë të sigurisë për të ndihmuar FBI-në.

Një zëdhënës i Facebook-ut u shpreh: Ky ishte një rast unik sepse ai po përdorte metoda të tilla të sofistikuara, për të fshehur identitetin e tij. Ne morëm hapa të jashtëzakonshëm të punës me ekspertë të sigurisë, për të ndihmuar FBI-në ta sjellë atë para drejtësisë.

Bëhet e ditur se kjo është e vetmja herë që kompania ka ndihmuar duke marrë hapa të tilla, për kapjen e një personi të rrezikshëm./tvklan.al