Lansimi i iPhone 12 nuk pritet të ndodhë si zakonisht gjatë muajit shtator
Sipas të gjitha gjasave, iPhone 12 do të lansohet në fund të vitit.
Raport i ri i Bloomberg, e ka cituar drejtorin e përgjithshëm të Broadcom, Hock Tan të ketë thënë se një prodhues “i madh i telefonisë celulare të Amerikës së Veriut” mund të përjetojë një “vonesë të madhe të ciklit të produktit”.
Broadcom është një nga furnizuesit e çipave për iPhone, teksa raporti thekson se Tan i referohet shpesh Apple në këtë mënyrë.
Mësohet se Broadcom zakonisht ka një rritje të të ardhurave në tremujorin e tretë fiskal të vitit, kur iPhone hyjnë në prodhim masiv, derisa edhe lansimi i këtij smartfoni ndodhë në muajin shtator, bazuar në përvojat e kaluara.
Por këtë vit, Broadcom nuk pret të shohë rritjen e të ardhurave deri në tremujorin e katërt fiskal të kompanisë, tha Tan gjatë një tele konference që kishte për bazë të ardhurat.
Mashable raporton se tremujori i tretë fiskal i Broadcom, është i ndryshëm nga tremujori i tretë i kalendarit, pasi zgjat nga maji deri në korrik.
Shënimet e Tan nënkuptojnë se Apple do të fillojë prodhimin masiv të iPhone 12 më vonë se zakonisht, që do të thotë se është një nisje e vonuar, ndoshta në tetor ose edhe pas kësaj.
Në muajin prill, Wall Street Journal raportoi se Apple po shtyn prodhimin në masë të iPhone 12 për rreth një muaj. Raporti i muajit mars i Nikkei, sugjeroi një ndryshim edhe më drastik, me pretendimin që ndoshta do të vonohej për disa muaj.
Të gjitha raportet, pretendojnë se kriza e shkaktuar nga pandemia dhe mbyllja që pasoi, kanë bërë që të vonohet shumë prodhimi i iPhone 12, ndërsa edhe lansimi pritet të mos ndodhë me kohë. /Telegrafi/