Del në treg televizori vertikal
Samsung bëhet gati të nxjerrë në treg televizorin vertikal, modelin më të ri të produkteve të saj. I quajtur Sero, televizori do të dalë në shitje në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar në të njëjtën kohë.
Televizori ka një opsion që e mundëson të rrotullohet nga horizontal në vertikal, për të mundësuar një përvojë më të mirë me rrjetet sociale, tashmë pjesë e pajisjeve që lidhen në internet.
Sero do të ketë një çmim prej 1999 dollarësh në SHBA dhe do të bëjë më të lehtë përdorimin e rrjeteve sociale si Instagram dhe TikTok, që kanë përmbajtje me foto dhe video vertikale. Me një telefon Samsung, rrotullimi i ekranit bëhet në mënyrë automatike në momentin që të dy pajisjet lidhen, ndërsa me telefona të tjerë, si Apple, do të duhet të shkarkoni një aplikacion për të lidhur pajisjet dhe ta rrotulloni manualisht televizorin.
Me këtë produkt, Samsung shpreson të zgjerojë bazën e klientëve mes të rinjve, të cilët janë edhe përdoruesit më të mëdhenj të rrjeteve sociale.