Kriza e koronavirusit po u “ndihmon” kriminelëve në internet
Për shkak të koronavirusit, jo vetëm ata që kanë punuar në distancë, por edhe shumë njerëz të tjerë kanë kaluar më shumë kohë para kompjuterave, qoftë për tu informuar, argëtuar apo porositur mallra online.
Por, situata ka ofruar kushte ideale për kriminelët në internet – thotë DW. Sipas sondazheve të kompanisë “G Data Cyber Defense”, që ofron programe për mbrojtjen prej viruseve në Gjermani, numri i sulmeve kibernetike në mars u rrit me rreth 30 përqind krahasuar me shkurtin. Këto janë vetëm sulmet e zbuluara. Numri i përgjithshëm i sulmeve ka të ngjarë të jetë shumë herë më i lartë dhe dëmi i shkaktuar mund të arrijë në disa milion euro. Bujën më të madhe e bënë përpjekjet për mashtrim në faqet e internetit të qeverisë gjermane ku ofrohej ndihmë financiare për bizneset.
Sipas ekspertëve të sigurisë, objekt i sulmeve janë jo vetëm telefonët celularë apo tabletat por edhe kompjuterat dhe lap-topet. Skenaret e sulmeve nuk janë të ndryshme për shkak të pandemisë, por është shtuar numri i sulmeve dhe i programeve të dëmshme. Një ndër të është Emotet që shërben si çelës për tu infiltruar në një sistem ose rrjet dhe për t’u hapur rrugën programeve të tjera të dëmshme shtesë. Ekspertët paralajmërojnë se duhet treguar kujdes në këtë kohë edhe me reklamat në portalet e internetit që ofrojnë artikuj që lidhen drejtpërdrejtë me Covid-19, si për shembull maska të lira ose teste për koronavirusin.
Po ashtu qarkullojnë edhe faqe të rreme në formë portalesh që ofrojnë gjoja ndihmë të menjëhershme për të prekurit nga kriza. Ndërkohë, në rrjet publikohen edhe grafikë në lidhje me Coronën, që janë të ngjashme me faqen e internetit të Johns-Hopkins, por që janë të lidhura me kode programesh të dëmshme.