Samsung-u i nënshtrohet Rusisë, i instalon aplikacionet qeveritare në telefona
Gjiganti i teknologjisë nga Koreja Jugore, Samsung, ka thënë se do t’i respektojë kërkesat e ligjit kundërthënës rus, në të cilin thuhet se telefonat e mençur dhe pajisjet kompjuterike duhet të kenë të instaluar patjetër aplikacione të miratuara nga qeveria.
“Samsung Electronics do të jetë i gatshëm t’i plotësojë të gjitha kërkesat e legjislacionit rus, të paraqitura nga rregullatori, dhe t’i rregullojë aktivitetet e kompanisë në përputhje me këto kërkesa”, shkruan një gazetë ruse.
Përmes një deklarate të mëhershme, kjo kompani ka thënë se tashmë punon së bashku me zhvilluesit rusë të aplikacioneve, shet produkte përmes një aplikacioni rus dhe e ka instaluar makinën kërkimore “Yandex” në pajisjet e veta, sipas kërkesave ligjore.
“Ndryshimet e ligjit nuk do të ndikojnë në planet e kompanisë për vazhdimin e punës në Rusi”, thanë zyrtarët e prodhuesit të njohur të telefonave.
Vendimi i Samsung-ut dallon shumë nga rivali amerikan, Apple, i cili ka thënë se nuk do të shesë pajisje që kanë aplikacione të palëve të treta, duke shtuar se ky ligj mund ta detyrojë kompaninë që ta rivlerësojë shkallën e pranisë në tregun rus.
Ligji i miratuar në kuvendin rus vitin e kaluar pritet të hyjë në fuqi këtë verë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Sipas disa të dhënave, Samsung-u e ka rreth 28 për qind të tregut të telefonave në Rusi, ndërsa Apple më pak se 10 për qind.