Shefi i Google-it bën thirrje për rregullore mbi inteligjencën artificiale
Shefi ekzekutiv i kompanisë Google, Sundar Pichai ka bërë thirrje të hënën për një qasje më të balancuar në rregulloret e inteligjencës artificiale, duke i thënë audiencës evropiane se teknologjia ka përfitime por edhe “pasoja negative”.
Komentet e tij vijnë në kohën kur ligjëvënësit dhe qeveritë janë duke konsideruar seriozisht mënyra për të kufizuar përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Nuk kam asnjë dyshim që inteligjenca artificiale duhet të rregullohet. Pyetja është se si t’i qasemi më së miri asaj”, ka thënë mes tjerash Pichai.
Ai ka theksuar se qeveritë kanë rol të madh në këtë çështje, pasi Bashkimi Evropian, ashtu sikurse Shtetet e Bashkuara duhet të nisin të hartojnë rregullore për këtë çështje.
Më 2018, Google është zotuar për të mos përdorur inteligjencë artificiale në aplikacionet që lidhen me armë, vëzhgime që shkelin normat ndërkombëtare apo punë që shkelin të drejtat e njeriut.