Mustafa: Ramazani, muaji i afrimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, shtroi iftar për drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, në krye me Myftiun Naim Tërnava.

Kryeministri Mustafa vlerësoi lartë mesazhet dhe vlerat që muaji i Ramazanit përçon te besimtarët.

“Muaji i Ramazanit dhe agjërimi përçojnë te besimtarët dhe njerëzit e vullnetit të mirë mesazhet e humanizmit, të përkushtimit, të solidaritetit, duke fuqizuar vlerat e tolerancës dhe të dashurisë ndërmjet njerëzve, pa dallime”, tha kryeministri Mustafa.

Duke shprehur respektin e Qeverisë së Kosovës për komunitetin mysliman dhe komunitetet tjera fetare, kryeministri Isa Mustafa, theksoi rëndësinë e fuqizimit të harmonisë tradicionale ndërfetare të popullit të Kosovës.

LEXO EDHE: Iftari bashkon pozitë e opozitë, myslimanë e të krishterë

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, uroi që në këtë muaj të shenjtë të jenë prezentë mëshira, harmonia dhe shëndeti.

“Muaji i shenjtë i Ramazanit na bënë që të jemi më afër njëri tjetrit, të jemi përreth sofrave të Zotit, të jemi në vazhdimësi në ndihmë të atyre që janë në nevojë, të varfërve dhe skamnorëve. Ky është muaj i sakrificës, kur çdo njëri prej nesh duhet të japë nga vetja atë që ka nevojë tjetri”, tha Myftiu Tërnava, duke falënderuar kryeministrin Mustafa për iftarin e shtruar.